Në selinë e KQ të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) në Athinë mbahen punimet e Kongresit të 20-të të KKE me moton:
"Përforcim i gjithanshëm i KKE përpara detyrës së rindërtimit të lëvizjes punëtore dhe të zhvillimit të aleancës sociale në drejtim antikapitalist – antimonopolist, në luftë kundër luftës imperialiste, për pushtetin punëtor".
Deri tani rreth 90 Parti Komuniste dhe Punëtore nga e gjithë bota kanë dërguar mesazhe përshëndetëse për KKE me rastin e Kongresit të 20-të të Partisë.
Punimet e Kongresit hapen me prezantimin e Raportit të KQ të KKE nga Sekretari i Përgjithshëm i KQ, Dhimitri Kucuba.
Duhet të theksohet se për tre muaj u realizuan diskutime të brendshme në parti mbi "Qëndrimet e KQ të KKE për Kongresin e 20-të" , si dhe qindra mbledhje-aktivitete publike dhe diskutime.
Delegatët e Kongresit të 20-të të KKE thirren të diskutojnë:
1) Zhvillimet në sistemin imperialist ndërkombëtar, vlerësimet mbi zhvillimet ekonomike-sociale në botë në fund të dekadës së dytë të shekullit të 21-të. Arenat e acaruara të antagonizmave ndër-imperialiste, acarimin e konflikteve lokale dhe rajonale dhe rreziqet e një lufte më të përgjithësuar imperialiste në kushte kur viktimat e luftës dhe flukset e refugjatëve dhe imigrantëve po rriten.
2) Pozicionin e Greqisë në sistemin ndërkombëtar kapitalist, pozitën e saj brenda Bashkimit Europian, marrëdhëniet midis dimensionit kombëtar dhe ndërkombëtar në zhvillimin kapitalist dhe në luftën klasore.
3) Vlerësimin e zhvillimeve të sotme në Greqi, si në ekonominë greke ashtu dhe në lidhje me gjendjen e klasës punëtore dhe shtresave të tjera popullore. Kursin e reformimit të sistemit politik borgjez, ashtu si ky sistem evoluon, veçanërisht gjatë këtyre katër viteve të fundit.
4) Raportin e punës që u bë që nga Kongresi i 19-të dhe detyrat e reja të Partisë dhe Rinisë së saj deri në Kongresin e ardhshëm, në Kongresin e 21-të. Raportin e përgjithshëm të punës së periudhës katër vjeçare në lidhje me forcimin e Partisë dhe Rinisë Komuniste të Greqisë (KNE), në akset e ndërhyrjes ideologjike-politike të Partisë, në rindërtimin e lëvizjes punëtore, në kursin e aleancës sociale. Çështjen e marrëdhënies Parti – lëvizje. Kursin e ndërtimit të partisë, ri-pozicionimi organizativ i forcave të partisë, çështjen e kuadrove, financën e Partisë, gjendjen në lëvizjen komuniste ndërkombëtare dhe veprimtarinë dhe bashkëpunimin e KKE me partitë e tjera komuniste dhe punëtore në botë. Vlerësimin e përgjithshëm dhe përmbledhës në lidhje me punën e Komitetit Qendror dhe propozimet e KQ për aktivitetet e reja që planifikohen deri në Kongresin e 21-të.
Kongresi i 20-të pritet të diskutojë dhe të miratojë Rezolutën Politike dhe të zgjedhë organet e reja udhëheqëse qendrore të Partisë.