Skip to content

20 vjet nga bombardimet e NATO-s në Jugosllavi:Partia Komuniste e Greqisë (KKE) vazhdon të luftojë kundër planeve dhe organizmave imperialiste

Date:
mar 27, 2019
thesnikh-anti-nato-1

Këto ditë plotësohen 20 vjet nga bombardimet e NATO-s në Jugosllavi dhe dy muaj që nga firmosja e marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti grek. Dy ngjarje të ndryshme, një luftë, që çoi në vdekjen e më shumë se 3500 njerëzve (prej të cilëve 3/4 ishin civilë dhe mes tyre 400 fëmijë) dhe, nga ana tjetër, një marrëveshje dypalëshe "paqësore", siç na i paraqesin. Megjithatë, këto dy ngjarje janë të lidhura ngushtë me një lidhje të fortë: Planet e organizatës imperialiste të NATO-s. Të një organizate kriminale, që mund të planifikojë dhe të realizojë grushte shteti, bombardime vendesh, shpërbërje shtetesh, bombardime mbi civilë dhe helmimin e tokave me bomba uraniumi dhe krime të tjera kundër popujve, dhe, në të njëjtën kohë, të hiqet dhe si ... "paqebërëse".

NATO arrin ta kryej misionin e "paqebërëses" duke promovuar sisteme të sofistikuara armatimesh, fuqinë e saj ushtarake, si p.sh në Jugosllavi në vitin 1999, duke mospërfillur të «Drejtën Ndërkombëtare» dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, apo në Libi në vitin 2011 (duke e marrë këtë herë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së), dhe nganjëherë, duke promovuar marrëveshjet dypalëshe, si ajo e Prespës, e cila mban vulën e NATO-s.

Siç u bë për luftërat në Jugosllavi, Libi, Siri, ku pjesëmarrja e Greqisë në NATO u shfrytëzua me dhënien e bazave ushtarake NATO-Amerikane në Greqi, të cilat u funksionuan si "baza-sulmuese" për luftë, kështu dhe me Marrëveshjen e Prespës duke e bërë "trampolinë" për të promovuar po të njëjtat interesa.

Partia Komuniste e Greqisë (KKE) në vitin 1999 udhëhoqi luftën e popullit grek kundër ndërhyrjes imperialiste në Jugosllavi, dhe sot gjithashtu lufton në mënyrë të vendosur kundër Marrëveshjes së Prespës, e cila mban mbi vete "vulën" e NATO-s, si dhe transformimin e Greqisë, nga qeveria "majtë" e SYRIZA, në një bazë të tejskajshme ushtarake të SHBA dhe NATO-s.

Lidhja e Greqisë me NATO-n të bëhet kriter vote

Gjatë punimeve të Konferencës së Organizatës së Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) në Atikë, foli Sekretar i Përgjithshëm i KQ të KKE, Dhimitri Kucuba. Në ndërhyrjen e tij, ndër të tjera, vuri në dukje:

«Çështje serioze, e cila gjithashtu duhet të bëhet kriter themelor për votën, është fakti se kjo qeveri, me pëlqimin dhe pranimin e të gjitha partive të tjera, po e lidh Greqinë gjithnjë e më ngushtë në qerren e NATO-s. Vazhdimisht nënshkruan marrëveshje të reja ushtarake dhe ekonomike me SHBA-të, duke i dhënë çdo vit miliarda euro për industrinë ushtarake, ndërkohë që bëhen shkurtime kriminale në arsim, shëndetësi, mirëqenie dhe për nevojat sociale.

Një sfidë e re përbën plani i përbashkët i qeverisë me SHBA-të, që sipas një raporti të Ministrisë së Jashtme të SHBA-ve, do jepen financime për Mediat dhe OJQ-të (Organizatat Jo-Qeveritare), me synim që të ndryshohet klima mbizotëruese kundër Amerikës dhe NATO-s në Greqi. Kjo fushatë tashmë është në zhvillim e sipër. Por, sado mekanizma propagandistike që të themelojnë, sado “lavatriçe” dhe vija ndarëse të rreme që të shpikin ata, nuk munden t’i pastrojnë dot SHBA-të, NATO-n dhe BE-në.

Populli nuk duhet që ta fali SYRIZA-n, as disa bishtuk të ndryshëm të qeverive të PASOK dhe ND, të cilat i shërbyen politikës së Bashkimit Europian dhe që SYRIZA sot i nxjerr këta nga sëndukët për të bërë me ta gjoja fronte "progresiste".

Nuk duhet të harrohet krimi kundër Jugosllavisë, që pikërisht sot plotësohen 20 vjet. Këtë krim e organizuan dhe ekzekutuan vetë ata që frymëzuan dhe udhëhoqën Marrëveshjen Prespës, me synim të forcojnë praninë e tyre në rajon, për të përçarë popujt, për të krijuar shtete - protektorate. Dhe për shkak se nuk kanë kaluar shumë vite, por, edhe për shkak se Greqia është një vend i vogël, i mbajmë mirë mend, se shumë prej këtyre që aktualisht figurojnë në tubimet "progresiste" të SYRIZA-s, atëherë ishin protagonistët për të legjitimuar luftën dhe shërbimet që jepeshin atëherë nga qeveria Simiti e PASOK-ut.

Po ashtu, na kujtohet se, në atë periudhë, partitë që qeverisnin në shumicën e shteteve të BE-së dhe ishin protagoniste në bombardime, ishin partitë socialdemokrate. Pikërisht, sepse BE-ja ka qenë, është, dhe do të mbetet gjithmonë një aleancë ujqërish kundër popujve, e cila e ka në ADN-në e saj luftën, shfrytëzimin, anti-komunizmin dhe nacionalizmin.

Dhe të gjithë ata që përpiqen për të na bindur se gjoja e gjithë kjo që ka ndodhur është thjesht një shkarje nga vlerat humanitare të BE-së, siç bën SYRIZA, nuk janë thjesht anti-historik, por dhe mashtrues me vetëdije».

 

"Papagallët e majtë" të NATO-s

Fjalimi i mësipërm i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) i shqetëson të gjithë ata që kanë mbështetur dhe mbështesin planet imperialiste, madje disa prej tyre i mbështesin këto plane imperialiste dhe me parulla të "majta", por, gjithmonë duke ripërtypur pretekstet e përdorura nga imperialistët për të avancuar pushtimet e tyre: Në Jugosllavi (1999) ishte preteksti i «gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë», në Afganistan (2001) ishte preteksti i «luftës kundër terrorizmit», në Irak (2003) ishte preteksti i «armëve të shkatërrimit në masë», në Libi (2011) e deri më sot në Siri ishte dhe mbetet preteksti i «rivendosjes së demokracisë».  

Mos harrojmë faktin se, kur bëheshin bombardimet e NATO-s, partitë e prirjes euro-komuniste gjendeshin në qeverisjen e qendrës së majtë në Francë dhe Itali, të cilat, gjithashtu, ripërtypnin pretekstet e NATO-s. Me sa duket “lavdinë” e këtyre partive e pati zili edhe z. Bardhyl Hazizaj, Sekretari i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), sot një grup i parëndësishëm në Shqipëri që përbëjnë "bishtukun" e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ky person riprodhon të gjithë propagandën përkatëse të NATO-s, për të sulmuar Partinë Komuniste të Greqisë (KKE) dhe ti kundërvihet deklaratave të mësipërme të Sekretarit të saj të Përgjithshëm. Sigurisht që, një zhvillim i tillë ne nuk na befasoi aspak, pasi është e njohur tek ne që ky grup i mbështet "nga e majta" planet aventuriere të klasës borgjeze të Shqipërisë e cila kultivon "irredentizmin", idetë e "Shqipërisë së Madhe", plane që i mbështesin edhe disa forca imperialiste.

Grupet politike si kjo e Bardhyl Hazizaj në Shqipëri janë katandisur çirakë të imperialistëve amerikanë dhe atyre europianë, çirakë të klasës borgjeze në shtetin e tyre.

Punëtorët në Shqipëri, që sot po përjetojnë gjithë fatalitetin e kapitalizmit (papunësinë, shfrytëzimin, privatizimin e shëndetësisë dhe arsimit, etj) tashmë e kanë përvojën për të kuptuar se kush janë kundërshtarët e vërtetë, të cilët nuk janë popujt fqinjë, por klasa borgjeze dhe imperialistët.

• Punëtorët në minierat Bulqizës, dhe në industrinë e naftës në rajonin e Ballshit, të cilët luftuan para pak kohe për të drejtave të tyre, ose

• studentë që kohët e fundit kanë luftuar në Tiranë kundër privatizimit të Arsimit të Lartë, ose

• emigrantët, të cilët kanë punuar dhe ende po punojnë e studiojnë në Greqi, Itali dhe shtete të tjera, dhe e panë nga afër solidaritetin masiv të komunistëve dhe njerëzve të tjerë progresit, kundër nacionalizmit dhe racizmit, dhe u organizuan në sindikata dhe shoqatat studentore,

të gjithë këta, munden dhe duhet të dallojnë se cilat janë interesat e tyre reale!

Punëtorët, studentët, në përgjithësi klasa punëtore në Shqipëri, në Greqi dhe në shtetet e tjera nuk kanë asnjë interes nga "irredentizmi" borgjez, nga ndryshimi i kufijve në Ballkan që po nxiten kundër interesave të tyre. Ata që grabisin djersën e klasës punëtore në kushtet e paqes, janë po ata që e dërgojnë klasën punëtore në luftë për t'u vrarë për interesat e klasës borgjeze, në emër të gjoja atdheut të "madh", ose, gjoja "atdheut më të madh".

Partia Komuniste e Greqisë (KKE) që nga themelimi i saj e deri më sot mban qëndrim të vendosur kundër vizionit nacionalist borgjez të "Greqisë së Madhe", si dhe kundër kozmopolitizmit të kapitalit, kundër integrimit të Greqisë në bashkësitë imperialiste. Edhe sot, i drejtohemi me thirrje gjithë punonjësve në Ballkan për të bërë luftë të përbashkët kundër shfrytëzimit kapitalist, kundër monopoleve, kundër bazave të huaja ushtarake dhe planeve imperialiste, kundër bashkësive imperialiste të tilla si BE dhe NATO. Që popujt e Ballkanit të munden të hapin rrugën për një jetë pa shfrytëzim, pa luftëra imperialiste dhe padrejtësi shoqërore!