Në tubimin e protestës masive të sindikatave që u zhvillua në qendër të Athinës, Niko papageorgiu, anëtar i kryesisë së Federatës së Punëtorëve të Ushqimit dhe Turizmit (POEET) dhe të kryesisë së Konfederatës së Përgjithshme të Punëtorëve të Greqisë (GSEE) theksoi se mesazhi i sindikatave është: «Të tërhiqet menjëherë monstra antipunëtore!», dhe shtoi: «“Bibla” jonë është mbrojtja e 8-orarshit dhe pretendimi i 7-orarshit me 5 ditë punë në javë. Rritja e pagave për të përmbushur nevojat tona. Me masa mbrojtëse për shëndetin dhe sigurinë tonë në vendin e punës».
«Ato që njoftoi dje qeveria e marrin përgjigje nga klasa punëtore me një propozim: Ne nuk do të bëhemi skllevër në shekullin 21! Ato që Ministri i Punëdhënësve njoftoi dje, e marrin përgjigje vetëm me një mënyrë: Të gjithë në rrugë! Të gjithë në luftë që të mos përjetojmë tmerrin që po përgatisin për ne!», theksoi ai dhe vazhdoi:
«Ky nuk është thjesht një tjetër projekt-ligj, një përpjekje tjetër për ta bërë përpjekjen tonë të përditshme më të vështirë për të mbijetuar. Por është një bombë në shtyllën kryesore të themeleve të së drejtave tona, në orarin e punës». Duke përmbledhur parashikimet e projekt-ligjit në fjalë për një ditë pune me 13-orë, për 150 orë punë jashtë orarit në vit, për përjashtimin e kohës së pushimit nga orari i punës, ai u bëri thirrje punonjësve të mendohen: «A ka ndonjë kufizim shfrytëzimi njerëzor? A ka ndonjë kufizim uria e punëdhënësve për fitime?»
«Ne duhet të shpjegojmë një për një, nisur që nga sot e në vazhdim, pse vijnë këto masa të reja dhe pse konkretisht tani», theksoi ai dhe shtoi: «Sepse në dalje nga pandemia do të shihet se çfarë ishte e fshehur dhe kishte filluar që para saj: Krizë e re dhe më e thellë kapitaliste. (...) Tani ata duan të shtojnë punën tonë në mënyrë që kjo të maksimizojë fitimet që ata dëshirojnë. Kjo është arsyeja, dhe ja pse ata tani po godasin çdo gjë të shenjtë e të shtrenjtë për ne, 8-orarshin dhe bashkë me të edhe të drejtën tonë për organizim. Kjo është arsyeja pse ata sjellin dosjen elektronike për të regjistruar anëtarët tanë në sindikata. Ja pse i duan sindikatat të luajnë rolin e nxitësve të së gjitha objektivave që duan punëdhënësit. Kjo është arsyeja pse ata urrejnë këdo që vë në dyshim këtë sistem barbar e shfrytëzues si dhe eksponentët e tij».
Vazhdimi i protestës u pasua nga një marshim i madh në rrugët kryesore të kryeqytetit grek, që arriti jashtë Parlamentit. Kur demonstruesit kaluan jashtë Ministrisë së Punës, ata ndryshuan emrin e ministrisë duke i vendosur emërimin "Bashkimi i Punëdhënësve të Greqisë".