Zyra e Shtypit e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) lëshoi njoftimin e mëposhtëm mbi partneritetin strategjik midis Greqisë dhe Francës dhe deklaratat Micotakis-Makron:
«Pas festës së qeverisë populli duhet të shikojë thelbin i cili nuk është tjetër veç se rivalitetet dhe pazaret e egra gjeopolitike, në të cilat Greqia është përfshirë në mënyrë të rrezikshme. Pjesë integrale e këtyre janë programet e mëdha - dhe të pafundme - të armatimit, të cilat kryesisht i shërbejnë qëllimeve të tjera dhe jo mbrojtjes së vendit, ndërsa populli grek do të thirret të paguajë me sakrifica të mëdha.
Është karakteristike që në deklaratat Micotakis - Makron pati shumë referenca për "orientimin euroatlantik të armatimit", për "autonominë strategjike europiane", për "fuqinë gjeopolitike të Europës". Të gjitha këto "fotografojnë" shumë qartë planet e reja agresive dhe ndërhyrje imperialiste në Mesdheun Lindor, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe në rajonin Sahel, në të cilin tashmë po udhëheq Franca dhe po merr pjesë Greqia, e cila gjithashtu është thirrur të përforcojë përfshirjen e saj në kontekstin e ndihmës strategjike reciproke.
Në misione të tilla do të përdoren edhe "Armët e reja moderne", gjë që vërtetohet edhe me dërgesën e fundit të pajisjeve ushtarake greke (raketat "Patriot") në Arabinë Saudite.
Partneriteti Strategjik midis Greqisë dhe Francës, si dhe Marrëveshja me SHBA-të, e cila do të rinovohet edhe për 5 vjet të tjera, i shërbejnë qëllimit të azhurnimit gjeostrategjik të klasës sunduese greke, duke marrë rolin e "kapadaiut" dhe duke përfshirë popullin në rivalitetet e rrezikshme që po intensifikohen në rajon dhe në botë, me popuj viktima.
Në kontekstin e kësaj strategjie antipopullore, me të cilën SYRIZA dhe KINAL bien dakord, përshkallëzohet konkurrenca midis klasës borgjeze të Greqisë dhe asaj të Turqisë në detin Egje dhe në Mesdheun Lindor dhe të drejtat sovrane futen në pazarin imperialist.
Për këto arsye, është çështje kyçe që populli të mos joshet nga festimet arrogante dhe rrahjet e daulleve, por të dënojnë politikën e përfshirjes dhe të jenë vigjilentë."
Zyra e Shtypit e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE)
29.09.2021
