Skip to content

Aspekte të luftës ideologjike-politike në linjat e lëvizjes komuniste ndërkombëtare

Artikull i Departamenti të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të KQ të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) rreth telekonferencës së fundit ndërkombëtare të PK-ve
Date:
jan 24, 2022
682067

Së fundmi, në kuadër të “valës” së 5-të të pandemisë, u mbajt Telekonferenca e Jashtëzakonshme e Takimeve Ndërkombëtare e Partive Komuniste dhe Punëtore, nën përgjegjësinë e Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) dhe Partisë Komuniste të Turqisë (TKP). Zhvillimet konfirmojnë se qeveritë borgjeze nuk kanë mundur të përballojnë në dobi të punëtorëve pandeminë e koronavirusit. Për më tepër, kufizimet e udhëtimit nga njëri shtet në tjetrin e bëjnë të vështirë takimin nga afër. Ky zhvillim negativ i ka rrënjët në mungesat e mëdha në sistemet Shëndetësore publike, si pasojë e politikës antipopullore të ndjekur nga qeveritë në shërbim të kapitalit. Këto janë rezultatet e politikës së komercializimit dhe privatizimit të Shëndetësisë, të mbështetjes së përfitimit të grupeve monopoliste, si dhe refuzimi për plotësimin e kërkesave që kanë bërë partitë komuniste për heqjen e patentës së vaksinave dhe barnave, diçka që do të kontribuonte në vaksinimin më të shpejtë dhe parandalimin e mutacioneve të reja të koronavirusit.

Në këto rrethana partitë komuniste dhe punëtore, të cilat vazhdojnë të luftojnë për jetën dhe të drejtat e klasës punëtore dhe të shtresave të tjera popullore, duhet të shkëmbejnë pikëpamjet dhe përvojat e aktiviteteve të tyre me mjete të tjera. Vitet e fundit ka pasur disa aktivitete të tilla. Telekonferenca e jashtëzakonshme ndërkombëtare, e cila kërkonte një mënyrë dhe planifikim të mirë për ta realizuar, me synim që të bëhej e mundur pjesëmarrje e partive nga zona të ndryshme kohore me diferenca ore, mundi të shkëmbente mendime për çështje kritike të zhvillimit.

Për të shumtën herë, bashkëpunimi i ngushtë i zhvilluar nga Partia Komuniste e Greqisë (KKE) dhe ajo e Turqisë (TKP), për suksesin e kësaj përpjekjeje, ishte një shembull tjetër praktik i internacionalizmit proletar.

 

Çështjet kryesore që u shtruan në takim

Fjalimet e partive ndriçuan aspekte të veprimtarisë së tyre, si dhe qasjen e secilës parti ndaj zhvillimeve themelore ndërkombëtare dhe të brendshme. U shpreh solidariteti ndaj Partisë Komuniste të Kubës, në tërësi ndaj popullit të Kubës, i cili prej dekadash lufton kundër bllokadës së imperialistëve. U shpreh solidariteti ndaj popullit të Palestinës, i cili po lufton për të drejtat e tij.

Të gjitha fjalimet e partive janë publikuar në faqen e SOLIDNET, si dhe teksti i Aktiviteteve të Përbashkëta, i cili është miratuar dhe parashikon aktivitete të përbashkëta dhe konvergjente, të cilat do të zhvillohen nga PK-të në vitin 2022. Këto aktivitete  kanë të bëjnë me të drejtat punëtore - popullore, forcimin e sistemeve të Shëndetit Publik, kundër antikomunizmit dhe shtrembërimit të ofertës historike të BRSS dhe socializmit, duke shfrytëzuar përvjetorët kryesorë si themelimi i BRSS-së më 30 Dhjetor 1922, si dhe aktivitete solidariteti me komunistë dhe militantë të tjerë që përballen me persekutime, ndalime, aktivitete kundër luftërave dhe ndërhyrjeve imperialiste, në NATO dhe aleanca të tjera ushtarake imperialiste, në bazat ushtarake të huaja, për të treguar domosdoshmërinë, aktualitetin dhe realizmin e socializmit si alternativë e vetme ndaj kapitalizmit.

Të gjitha këto janë botuar me hollësi, si në faqen SOLIDNET ashtu edhe në greqisht në gazetën "Rizospastis" dhe në portalin elektronik 902.gr, si dhe fjalimet hyrëse të Sekretarëve të Përgjithshëm të KKE dhe TKP, shokëve Dhimitri Kucuba dhe Qemal Okujan.

 

Paraqitja e luftës ideologjike-politike

brenda Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare

Natyrisht, çështjet serioze ideologjike dhe politike vazhdojnë të telendisin Lëvizjen Komuniste Ndërkombëtare. Në fund të fundit, në takimet ndërkombëtare marrin pjesë dhe parti si Partia Komuniste Franceze apo Partia Komuniste e Spanjës, të cilat luajtën një rol protagonist në rrymën oportuniste të së ashtuquajturës “Eurokomunizëm”, si dhe parti të tjera që marrin pjesë në “kollonën” e qendrës aktuale oportuniste europiane, e ashtuquajtura e Majta Europiane (KEA) dhe Eurogrupit "të majtë" në Parlamentin Europian GUE/NGL, i cili, siç kemi vlerësuar, ka rrëshqitur në një lloj përfaqësie të KEA-së në Parlamenti Europian. Madje dhe parti që kanë refuzuar marksizëm - leninizmin, drapër-çekanin dhe fajësojnë ndërtimin e socializmit në BRSS.

 

Lufta për çështjen e pjesëmarrjes në qeveritë borgjeze

Çështja e pjesëmarrjes apo e mbështetjes së PK-ve në qeveri “të majta”, “progresiste”, që shfaqen në territorin e menaxhimit të kapitalizmit, ende mbetet së qeni një pikë kyçe në luftën ideologjike-politike. Para së gjithash, sepse partitë që ndjekin këtë qëndrim politik me idealizma të ndryshme, si "humanizimi" i kapitalizmit, "demokratizimi" i BE-së, apo ato që thonë "të shkojmë drejt socializmit me faza", e ashtuquajtura "luftë kundër politikës së djathtë" kultivojnë iluzione menaxheriale, "lajnë" rolin e pistë të socialdemokracisë dhe e përqendrojnë kritikën e tyre në një formë të menaxhimit borgjez, në neoliberalizëm. Forca të tilla shpërfillin dhe nënvlerësojnë ligjet që përshkojnë ekonominë kapitaliste dhe karakterin e dhënë në mënyrë të pakthyeshme reaksionar të shtetit borgjez i cili nuk cenohet nga asnjë përzierje e menaxhimit borgjez. Këto forca e lënë luftën për socializëm në një "perspektivë afatgjate" dhe në praktikë marrin përgjegjësi të mëdha ndaj popujve meqenëse refuzojnë punën e mundimshme e të përditshme të mobilizimit të forcave shoqërore, të cilat kanë interes të konfrontohen me monopolet dhe kapitalizmin.

Kështu, ne i shohim këto forca që fokusohen në zgjidhjet e një menaxhimi qeveritar, madje duke votuar për shpenzime ushtarake për nevojat e NATO-s, në misionet imperialiste p.sh. në zonën e Sahelit, ose duke zëvendësuar kërkesën për shkëputje të vendit të tyre nga NATO me atë të “shpërbërjes” së pacaktuar dhe abstrakte të NATO-s. Se ku të çon kjo politikë dallohet në Spanjë, ku Partia Komuniste e Spanjës merr pjesë në një qeveri që menaxhon pandeminë në mënyrë barbare dhe antipopullore, merr masa të reja antipunëtore të bazuar në udhëzimet e BE-së, ndërsa arrin gjer aty sa merr masa minuese kundër Kubës, si dhe sigurisht është e përfshirë fuqishëm në planifikimet e NATO-s.

 

Konfuzioni rreth konceptit të imperializmit

Në thelb janë të njëjtat forca që e trajtojnë imperializmin jo me kritere leniniste, pra jo si kapitalizëm në fazën e tij monopol, por thjesht si një politikë të jashtme agresive. Kështu ata anashkalojnë faktin që në epokën tonë po përplasen monopolet, shtetet kapitaliste dhe bashkësitë e tyre për lëndët e para, energjinë, pasurinë minerale, rrugët e mallrave, pjesët e tregut. Edhe më keq, disa parti mohojnë faktin që rivaliteti midis monopoleve përbën bazën e përshkallëzimit të kontradiktave në shkallë botërore.

Për këto parti, çështja fokusohet në politikën agresive të jashtme të SHBA-ve, të NATO-s apo të disa forcave të tjera të fuqishme, të cilat në mënyrë të njëanshme interpretojnë “agresionin imperialist” dhe si zgjidhje propozojnë të ashtuquajturën “botë multipolare”. Megjithatë, pozicioni që kufizon imperializmin vetëm në SHBA, si dhe qëndrimi se ekzistenca e shumë "poleve" ndërkombëtare ku njëri do të kontrollojë tjetrin, duke patur si rezultat një "botë paqësore", është krejtësisht çorientues për popujt. Ky pozicion fsheh realitetin. Mbjell iluzione se mund të ekzistojë një imperializëm "jo agresiv", një i ashtuquajtur kapitalizëm "paqësor".

Partia Komuniste e Greqisë (KKE) dhe partitë e tjera kanë ushtruar kritikë ndaj pikëpamjeve të tilla, të zhvilluara në shekullin e kaluar si nga forcat oportuniste në Europë ashtu dhe nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik (PKBS), sidomos pas kthesës oportuniste në kongresin e 20-të të PKBS, kur mbizotëroi linja e "rivalitetit paqësor" mes dy sistemeve social-politike.

 

Bashkëpunimi “antifashist” me forcat borgjeze

Në disa parti është shkaktuar konfuzion edhe nga fakti se sistemi kapitalist në raste të ndryshme nxjerr “qentë” e sistemit, forca të ndryshme fashiste dhe i përdor ato për të promovuar plane të ndryshme të klasës borgjeze, siç veprohej në Ukrainë. Madje edhe në disa forca që pranojnë se fashizmi është "pjellë" e kapitalizmit, priren që ta shkëpusin këtë çështje nga lufta kundër kapitalizmit, drejtohen në një perceptim të bashkëpunimit "antifashist" me forca borgjeze ose të mbështetjes së tyre.

Sot, për zhvillimet aktuale ndërkombëtare, ka rëndësi kryesore vlerësimi i arritur nga Partia Komuniste e Greqisë (KKE) në studimin e Historisë së Luftës së Dytë Botërore. Se ajo luftë ishte një luftë imperialiste dhe e padrejtë si për forcat fashiste kapitaliste, ashtu edhe për vendet kapitaliste "demokratike", të cilat gjithashtu kryen krime të mëdha kundër njerëzimit, si bombardimet bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki. Se lufta ishte e drejtë vetëm për BRSS-në dhe lëvizjet partizane e popullore çlirimtare në shtetet e pushtuara, ku rol udhëheqës dhe kryesor aty luajtën komunistët.

Ky qëndrim lidhet drejtpërdrejt me të sotmen, kur në Ukrainë manifestohen kontradiktat ndër-imperialiste, kur SHBA, NATO, BE përdorin forcat fashiste në Ukrainë për metodologjitë e tyre gjeopolitike dhe nga ana tjetër Rusia kapitaliste promovon interesat e monopoleve të saj. Është e qartë se SHBA-të, aleancat imperialiste të NATO-s dhe BE-së, si dhe klasat borgjeze, që i kanë formuar ato, kanë përgjegjësi të mëdha për këto zhvillime. Në të njëjtën kohë përgjegjësi të mëdha për situatën aktuale ka edhe klasa borgjeze e Rusisë. Të gjithë ata që e përbëjnë atë sot luajtën rol protagonist në shpërbërjen e BRSS-së. Kohët e fundit u plotësuan 30 vjet nga shpërbërja e BRSS. Atëherë halli i Jelcinit dhe i forcave shoqërore dhe politike që e pasuan atë ishte përmbysja e BRSS, nuk iu interesonte fare p.sh. se ku do të gjendej Krimea, sa miliona rusë dhe rusofolës do të gjendeshin jashtë Rusisë, se çfarë do të bëhet me këta njerëz. Prandaj, është më se provokuese të shohësh politikanë që atëherë mbështetën Jelcinin për të përmbysur BRSS-në, të çohen e të akuzojnë sot vazhdimisht Leninin për shpërbërjen e BRSS-së dhe të na thërrasin në një "luftë antifashiste" në Ukrainë.

 

Qasja e Kinës së sotme

Për më tepër, çështja e konfrontimit ideologjiko-politik mbi atë çfarë është socializmi, është çështje vendimtare. Nuk janë të pakta ato parti që “pagëzojnë mishin për peshk”. Disa vite më parë kishim edhe teori të ndryshme për “socializmin e shekullit të 21” apo “socializmin e begatë”, siç quheshin qeveritë e ndryshme socialdemokrate në Amerikën Latine, të cilët u përpoqën me slogane që i propagandonin si “radikale” dhe disa masa për të zbutur varfërinë ekstreme të popullit, të menaxhonin sistemin kapitalist. Sot në fokus është Kina, e cila pretendon se po ndërton “socializëm me karakteristika kineze”, por ajo që po ndërtohet atje nuk ka asnjë lidhje me socializmin, me parimet dhe ligjet e ndërtimit socialist. Socializëm do të thotë socializimi / shoqërizimi i mjeteve të prodhimit, pushtet punëtorë, planifikim qendror. Asgjë nga këto nuk ekziston në Kinën e sotme, ku monopolet kineze përcaktojnë zhvillimet, ku promovojnë, nëpërmjet Partisë Komuniste të Kinës, zgjedhjet e tyre, të cilat ndër të tjera çojnë në pabarazi dhe padrejtësi të mëdha sociale.

Çështja nuk ka vetëm dimension teorike, por të drejtpërdrejta politike, lidhur me luftën për epërsi në sistemin imperialist, midis SHBA-ve dhe Kinës.

 

Çështja e luftës për epërsi në sistemin imperialist

Kjo çështje nuk është e thjeshtë, sepse jeta ka treguar se në situata të ngjashme, kur sfidohej epërsia e sistemit imperialist, kaluam në një luftë të madhe e të përgjithësuar, ku përfshiheshin dhjetëra shtete, me sakrifica të mëdha njerëzore për përfitimet e kapitalistëve të cilët janë në konflikt.

Sot, SHBA-të, të cilat mbeten fuqia më e madhe politiko-ekonomike dhe ushtarake e imperializmit në botë, e ndjejnë “në qafën e tyre frymën” e Kinës. Falë ligjit të zhvillimit të pabarabartë kapitalist që përshkon kapitalizmin, po shohim monopolet kineze të fitojnë pozicione të rëndësishme në tregun kapitalist botëror, në eksportin e mallrave dhe kapitalit.

Fatkeqësisht, disa Parti Komuniste në mënyrë të gabuar po përpiqen të rikthejnë format e së kaluarës, duke folur për një "luftë të ftohtë" të re, me ndryshim se në vendin e dikurshëm të BRSS-së kundrejt SHBA-ve, sot vendosin Kinën. Por, situata aktuale nuk ka të bëjë fare me konfrontimin BRSS-SHBA, pasi sot kemi një përballje në terrenin e konfliktit të monopoleve, pra një përballje brenda-imperialiste. Partia Komuniste e Greqisë (KKE) e theksoi këtë dallim me qëndrimin e saj, ndërsa partitë e tjera, si Partia Komuniste e Meksikës dhe Partia Komuniste e Pakistanit, theksuan karakterin aktual kapitalist të Kinës, ndërsa Partia Komuniste Filipineze-1930 foli hapur për hegjemoninë ekspansioniste të Kinës kundër vendeve fqinje të Oqeanit Paqësor, diçka që përdoret edhe si pretekst nga SHBA-të për të ndërhyrë në rajon.

Në asnjë rast nuk kemi të bëjmë me një luftë midis kapitalizmit dhe socializmit, siç kanë pretenduar gabimisht disa parti, si Partia Komuniste e Brazilit. Është e papërshtatshme që komunistët të jenë protagonist në fushata politike, si kjo që na informoi PK e Kanadasë për lirimin e drejtores së përgjithshme të Huawei-t, Meng Wanzhou, vajzës së presidentit të këtij monopoli kinez, pasuria personale e së cilës i kalon 3,4 miliardë dollarë dhe që u mbajt për disa kohë për shkak të konfliktit të ashpër të monopoleve të teknologjisë së lartë. Nuk i takon një Partie Komuniste të organizojë protesta për një biznesmene, garancia financiare për lirimin e të cilit ka arritur në 7.5 milionë dollarë, madje në një kohë kur në botën e sotme në dhjetëra shtete komunistët po zvarriten nëpër gjyqe (si p.sh. në Ukrainë dhe Poloni), burgosen (si p.sh. në Suesilandi etj.), persekutohen (si p.sh në Kazakistan), vriten me gjakftohtësi (si p.sh në Pakistan dhe Indi) dhe kanë nevojë për solidaritetin tonë ndërkombëtar.

Duke hapur një parantezë në këtë pikë themi se Partia Komuniste e Greqisë (KKE) ka dërguar deputetë, eurodeputetë dhe kuadro të tjerë të KKE në gjyqe të komunistëve të përndjekur dhe të partive që përndiqen në Ukrainë, Poloni dhe në të kaluarën ka dërguar edhe në shtetet e Baltikut, ka denoncuar vrasjet dhe përndjekjet që u bëhen komunistëve në shtete të tjera, si në Pakistan, Kazakistan, Sudan, në Indi, në Venezuelë dhe shtete të tjera, duke ngritur çështje të tilla edhe në Parlamentin Europian.

Për çështjen e "unitetit"

Në linjat e Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare nuk mund të ketë "unitet" artificial me forcat që vënë në dyshim dhe rishikojnë "themelet" e marksizëm-leninizmit, siç janë parimet e revolucionit socialist dhe të ndërtimit të tij në emër që "të qëndrojmë për momentin në ato që na bashkojnë". Një “unitet” i tillë, përveç imazhit të rremë dhe çorientues, i cili do t’u jepej komunistëve në mbarë botën, është edhe i rrezikshëm, sepse gjithmonë “gjysma e së vërtetës është një gënjeshtër”. Përveç kësaj, fsheh dallimet që ekzistojnë në lëvizjen komuniste dhe bllokon diskutimin për t'i kapërcyer ato. Nëse komunistët nuk kanë parasysh të gjithë pamjen e botës moderne imperialiste dhe fokusohen vetëm te SHBA-NATO, ose te neoliberalizmi, ose te fashizmi, duke i shkëputur të gjitha këto nga "mitra" që i lind - kapitalizmi dhe nevoja për ta përmbysur atë, do të udhëzohen në zgjidhje tragjike.

Partia Komuniste e Greqisë (KKE), duke qenë e vetëdijshme për këtë situatë dhe duke ndriçuar popullin për këtë, sot po udhëheq lëvizjen antiimperialiste në Greqi kundër bazave amerikane dhe NATO-s, kundër të ashtuquajturave "marrëveshje mbrojtëse" të Greqisë me SHBA-të dhe Francën, kundër përfshirjes së forcave të armatosura greke në operacionet jashtë Greqisë, për ç angazhimin e Greqisë nga aleancat imperialiste të NATO-s dhe BE-së, me popullin në pushtet. Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, KKE aktivizon forcat e saj kundër politikave antipopullore të qeverisë së ND, SYRIZA dhe partive të tjera borgjeze, si dhe luftës kundër formacioneve kriminale fashiste, duke synuar të formulojë kushte për Aleancën Sociale, për përmbysjen e kapitalizmit, për t'i dhënë fund "rrethit vicioz" të shfrytëzimit klasor dhe luftërave imperialiste.

 

Për rrjedhën e rindërtimit revolucionar

të lëvizjes komuniste ndërkombëtare

Është e nevojshme të vazhdohet dhe të bëhet përballje më e hapur ideologjike-politike, të sqarohen çështjet. Ne nuk jemi dakord me shkëmbimin e përcaktimeve agresive mes partive, por kërkojmë një diskutim thelbësor. Siç kërkojmë gjithashtu veprime të përbashkëta dhe konvergjente aty ku ato mundet të arrihen, dhe veçanërisht në shprehjen e solidaritetit ndërkombëtar.

Ne i mbështesim format ekzistuese të shkëmbimit të pikëpamjeve dhe bashkëpunimit ndërmjet PK-ve, siç janë takimet Ndërkombëtare, Rajonale dhe tematika të PK-ve.

I forcojmë format e avancuara të bashkëpunimit të Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare, si «Iniciativa Komuniste Europiane» (IKP) dhe "Inspektimi Komunist Ndërkombëtar" (IKN), për krijimin e polit komunist, i cili do të luftojë për rindërtimin revolucionar dhe unitetin e lëvizjes komuniste të pajisur me botëkuptimin tonë, marksizëm-leninizmin.

Kongresi i fundit i XXI-të i Partisë sonë (KKE) përpunoi kritere të rëndësishme për bashkëpunimin tonë më të ngushtë me Partitë Komuniste, të cilat janë: a) Të mbrojnë marksizëm - leninizmin dhe internacionalizmin proletar, nevojën për të formuar një pol komunist në nivel ndërkombëtar. b) Të kundërluftojnë oportunizmin, reformizmin, të refuzojnë menaxhimin e qendrës së majtë dhe çdo variacion të strategjisë së fazave për në socializëm. c) Të mbrojnë ligjin e pashmangshmërisë së revolucionit socialist. Me këto ligje ata të gjykojnë rrjedhën e ndërtimit socialist, të synojnë që të hulumtojnë, të nxjerrin mësime nga problemet dhe gabimet. ç) Të kenë front ideologjik kundër ideve të gabuara për imperializmin, veçanërisht ndaj atyre që e shkëpusin agresionin ushtarako-luftarak nga përmbajtja ekonomike e tij, si dhe të kenë front kundër çdo aleance imperialiste. d) Të zhvillojnë lidhje me klasën punëtore, të përpiqen të veprojnë në lëvizjen sindikale, në lëvizjet e pjesëve popullore të shtresave të mesme, të kërkojnë të integrojnë luftën e përditshme për të drejtat e punëtorëve dhe të popullit në një qeverisje bashkëkohore të klasës punëtore.

Telekonferenca ndërkombëtare e Partive Komuniste, telekonferencat e Iniciativës Komuniste Europiane së dhe e Inspektimit Komunist Ndërkombëtar, të cilat gjithashtu u zhvilluan gjatë kësaj periudhe, e ndihmojnë Partinë tonë të studiojë më mirë situatën konkrete të Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare dhe të gjitha format e bashkëpunimit, renditjes me kritere të bazuara në sa më sipër, prioritetet dhe veprimet saj të përbashkëta me partitë e tjera.

 

Botuar në Gazetën "Pizospastis" më 22.1.2022