Më 14 tetor 2025, ditën që projektligji anti-punëtor që parashikon ditën e punës 13-orëshe po diskutohej dhe votohej në parlament, në Greqi u zhvillua një grevë e re 24-orëshe për të gjithë punëtorët, për herë të dytë brenda 15 ditësh.
Greva u shpall nga 38 Qendra Punëtore, të cilat janë sindikata në nivel lokal, duke përfshirë edhe qendrat punëtore të qyteteve më të mëdha greke (Athinës, Selanikut, Pireut, Patra, Larisa, Janinë), si dhe 18 federata sektoriale sindikale, duke përfshirë konfederatën më të madhe sektoriale sindikale në Greqi në sektorin privat, atë të ndërtuesve, si dhe federatat e mëdha të punëtorëve në sektorin e prodhimit industrial të Ushqimit dhe Pijeve, sektorin e prodhimit farmaceutik, Industrinë Tekstile, federatën e sindikatave në fabrikat e Industrisë Kimike, Energjisë, Hekurudhave, etj. Konfederata e të Gjitha Sindikatave në Sektorin Publik (ADEDY) gjithashtu vendosi të hynte në grevë, në ndryshim nga shumica në Konfederatën e Sindikatave në Sektorin Privat (GSEE), e cila, në praktikë, mbështeti edhe një herë qeverinë antipopullore dhe punëdhënësit. Kështu, suksesi i madh i grevës ishte një përgjigje jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj udhëheqjes së shitur të GSEE.
Vendet e punës, fabrikat, kantieret e ndërtimit, portet, bankat dhe transporti ishin “të paralizuara”, me mijëra punëtorë që mbushnin rrugët e Athinës dhe qyteteve të tjera në luftën kundër politikës që, për fitimet e grupeve të biznesit, vazhdimisht ngre pengesa në jetën e popullit, duke intensifikuar “fleksibilitetin” dhe shfrytëzimin për klasën punëtore dhe duke shkatërruar të ardhurat me një shtrenjtësi çmimesh të jashtëzakonshme.










