Me aktivitetin e madh, të mbajtur më 29/3/2026 në Litohoro, aty ku 80 vjet më parë nisi përgjigja ndaj "terrorit të bardhë" dhe çoi në formimin e Ushtrisë Demokratike të Greqisë (DSE), u hapën aktivitetet e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) për 80-vjetorin e themelimit të DSE.
Në këtë aktivitet foli Sekretari i Përgjithshëm i KQ të KKE, Dhimitri Kucubas, i cili ndër të tjera vuri në dukje sa vijon:
«Ne nderojmë Ushtrinë Demokratike të Greqisë (DSE) sepse lufta e saj trevjeçare ishte e drejtë, heroike dhe madhështore. Sepse DSE shprehte interesat e shumicës dërrmuese të popullsisë kundër interesave të shfrytëzuesve dhe shtypësve vendas dhe të huaj. Shprehte interesat e klasës punëtore dhe të forcës së saj kryesore aleate, fshatarësisë dhe shtresave të varfra të vetë-punësuara të qyteteve.
Pushteti shtetëror shfrytëzues borgjez njohu atëherë rrezikun më të madh për vetë ekzistencën e tij. DSE u ballafaqua me klasën borgjeze, me të gjitha forcat e saj politike, me shtetin e tyre, por edhe me shtetet kapitaliste të Britanisë së Madhe dhe të SHBA. Pa përforcimin ushtarak, ekonomik dhe politik të këtyre të fundit, klasa borgjeze në Greqi nuk do të mund të fitonte (...)
Megjithatë, lufta e DSE në atë periudhë u gjend nën ndikimin e kontradiktave dhe dobësive të strategjisë së Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare dhe të vetë KKE. Lufta e Dytë Botërore nuk u vlerësua si imperialiste nga të dyja palët e shteteve kapitaliste që morën pjesë në të — si SHBA, Britania e Madhe, Franca nga njëra anë dhe Gjermania, Italia, Japonia nga ana tjetër — dhe nuk ishte shpallur si objektiv i përbashkët strategjik i Partive Komuniste që lufta përfundimisht të çonte në daljen nga lufta me marrjen e pushtetit punëtor.





