Skip to content

Dhimitri Kucubas:Edhe atëherë, edhe tani, rrugëdaljen mund ta japë vetëm populli, me KKE në ballë, me vetë popullin si protagonist të zhvillimeve

Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), Dhimitri Kucubas, ishte folësi kryesor në tubimin e madh politik të organizuar ditën e mërkurë, më 6 maj, nga Organizata e Maqedonisë Qendrore të KKE në Selanik, duke nderuar kryengritjen punëtore të majit të vitit 1936.
Date:
maj 8, 2026
sygkentrosi-kouts-thessaloniki-mais-36-6

Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), Dhimitri Kucubas, ishte folësi kryesor në tubimin e madh politik të organizuar ditën e mërkurë, më 6 maj, nga Organizata e Maqedonisë Qendrore të KKE në Selanik, duke nderuar kryengritjen punëtore të majit të vitit 1936. Atëherë, klasa punëtore e Selanikut, me punëtorët e duhanit në krye dhe me udhëheqjen e KKE, shpërtheu në greva dhe demonstrata të mëdha duke kërkuar kushte më të mira jetese, dhe praktikisht pushtoi qytetin për dy ditë. Shteti borgjez u përgjigj me përndjekje të egër dhe shtypje, duke vrarë 12 punëtorë dhe duke plagosur qindra të tjerë. Varrimi i viktimave u shndërrua në një demonstratë masive prej 150.000 punëtorësh dhe banorësh të qytetit. Këto ngjarje, që përbënin kulmin e luftës klasore në Greqi gjatë periudhës midis dy luftërave, tronditën qeverinë e Ioanis Metaksas. Pak muaj më pas u vendos diktatura e 4 gushtit 1936.

Ngjarjet e majit të vitit 1936 frymëzuan poemën madhështore "Epitafios" të poetit të madh komunist Janis Ricos, të kompozuar nga Mikis Theodhorakis.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i KKE iu referua kuadrit historik të epokës, ndikimit që pati Revolucioni i Madh Socialist i Tetorit në zhvillimin e luftërave punëtore dhe më pas formimi i Partisë Socialiste Punëtore të Greqisë (SEKE), siç quhej KKE në vitet e para të themelimit të saj, ndërsa vuri në dukje ngjashmëritë e mëdha të kohës së luftës me epokën që po jetojmë. Veçanërisht duke folur për zhvillimet bashkëkohore, ai përmendi ndër të tjera:

“Ua themi edhe nga këtu, nga Selaniku: Qeveria juaj, zotërinj të ND, nuk ka asnjë autorizim që të zvarriti vendin dhe popullin tonë drejt thertores. Me busull interesat e kapitalit, nënshkruan edhe rinovimin e marrëveshjes me qeverinë e Francës. Një marrëveshje e cila nuk ka asnjë lidhje me nevojat dhe interesat e popullit tonë, përkundrazi, u shërben synimeve të shumta antipopullore, kryesisht bizneseve dhe fitimeve të monopoleve franceze dhe greke, ndërsa përfshin vendin më thellë në rivalitetet dhe luftërat imperialiste.

Tani është e nevojshme të forcohet lufta për të ndaluar çdo pjesëmarrje dhe përfshirje të vendit tonë në luftë! Që qeveria të mos guxojë të dërgojë oficerë dhe ushtarë grekë në Gjirin Persik dhe në rajonin e gjerë. Që të kthehen menjëherë të gjithë ata që ndodhen në misione imperialiste të çdo lloji jashtë kufijve. Të mbyllen tani bazat e vdekjes që përbëjnë shënjestër hakmarrjeje dhe burim rreziku për popullin tonë!

Veçanërisht këtu në Selanik, duhet mbyllur tani dhe menjëherë Shtabi i NATO-s në Korpusin e Tretë të Armatës, në qendër të qytetit! Të ndalojë çdo përdorim i portit të Selanikut për qëllimet luftarake të NATO-s dhe SHBA-ve!

(...)

Tani duhet të japim zgjidhje të ecim përpara, duke shikuar drejt së nesërmes. Tani nuk është koha për të pritur zhvillimet. Tani është momenti për aksionin dhe mobilizimin maksimal popullor. Është koha e luftës dhe e kërkesës, që populli të mos paguajë sërish fitimet dhe luftën e tyre! Është koha e organizimit në vendet e punës, në lagje, aty ku jeton dhe studion rinia. Është koha që të forcohet edhe më shumë opozita punëtore-popullore.

Dhe kjo mund të shprehet sot vetëm me një lëvizje punëtore-popullore edhe më të fortë, me një KKE shumë më të fuqishme. Të forcohet edhe më shumë bashkërendimi me KKE përballë vështirësive, por edhe gjërave të mëdha që po vijnë dhe janë përpara nesh.”

Pas tubimit u zhvillua një demonstratë e madhe e kuqe në rrugët e Selanikut, e cila përfundoi te monumenti i punëtorit të duhanit, ku u vendos kurorë nga Sekretari i Përgjithshëm i KQ të KKE.

sygkentrosi-kouts-thessaloniki-mais-36-20
sygkentrosi-kouts-thessaloniki-mais-36-3
poreia-thessaloniki-mais-36-7