Njoftimi i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të KQ të KKE, në detaj:
«Vendimi i autoriteteve ruse për të vendosur dënime me burg nga 16 deri në 22 vjet për anëtarët e një grupimi marksist, duke përdorur "mendimin" qesharak, si dhe të rrezikshëm të një komiteti të emëruar i cili e karakterizoi veprën e Leninit «Shteti dhe Revolucioni» si një "manual terrorizmi" është plotësisht i papranueshëm dhe tregon poshtërsinë antikomuniste dhe antidemokratike të pushtetit borgjeze në Rusi. Shfrytëzimi nga drejtësia borgjeze ruse i një interpretimi leksikografik të fjalës "Revolucion" dhe karakterizimi i "ideologjisë së socializmit", të "pushtetit tek Sovjetët", "krijimit të pushtetit sovjetik" si "ideologji ekstremiste", me qëllim që të vërtetohet "natyra e dhunshme e ndryshimit të parimeve themelore të regjimit ekzistues", tregojnë përpjekjet e pamëshirshme të autoriteteve borgjeze për të njollosur revolucionin dhe socializmin, si dhe për të shtypur qoftë dhe aktivitetin më të vogël politik që vë në pikëpyetje zgjedhjet politike të klasës borgjeze dhe lufton për përmbysjen e barbarizmit kapitalist.
Ky vendim gjyqësor është një tjetër "hallkë" në "zinxhirin" antikomunist që shfrytëzon klasa borgjeze ruse. Në mënyrë karakteristike përmendim mbledhjen globale fashiste në Rusi, me pjesëmarrjen edhe të partisë naziste Agimi Artë nga Greqia, funksionimin e një shkolle politike në një universitet publik për filozofin fashist rus Ivan Ilyin, argumentimin antisovjetik dhe antikomunist të përdorur nga V. Putin për të nisur pushtimin e papranueshëm rus të Ukrainës në vitin 2022, i cili ishte gjithashtu fillimi formal i luftës imperialiste që po zhvillohet deri më sot, duke i kushtuar jetën qindra-mijëra të rinjve në Ukrainë dhe Rusi, kryesisht me prejardhje nga shtresat e varfra popullore, për interesat e kapitalistëve.
Partia Komuniste e Greqisë (KKE) dënon në mënyrën më vendimtare këtë dënim të papranueshëm gjyqësor, i cili është në përputhje me gjyqet dhe ndalimet e ngjashme antikomuniste në Ukrainë, së fundmi në Poloni kundër Partisë Komuniste të Polonisë, me "javën kundër komunizmit" të shpallur nga Trump-i vërteton se antikomunizmi nuk është një "vegël" ekskluziv që përdoret vetëm nga blloku imperialist euroatlantik, por, kur ai konsiderohet i nevojshëm nga pushteti borgjez, mund të përdoret edhe nga Rusia kapitaliste, udhëheqja e së cilës pretendon në mënyrë të rreme se po zhvillon një "luftë antifashiste" dhe në çdo 9 maj kërkon të shfrytëzojë Fitoren Antifashiste të BRSS-së dhe lëvizjeve partizane kundër nazizmit të cilin e lindi kapitalizmi.
Kërkojmë me këmbëngulje lirimin e menjëhershëm të anëtarëve të dënuar të grupit marksist, ndërprerjen e persekutimeve politike antikomuniste. Larg duart nga komunistët!»
