Delegacion i Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), i përbërë nga shokët Jorgo Marinos, anëtar i BP të KQ të KKE, dhe Aris Evangjelidhis, anëtar i KQ të KKE, mori pjesë në një manifestim të madh anti-NATO, të organizuar më 27/6/2026 në Stamboll nga Partia Komuniste e Turqisë (TKP).
Folësi kryesor në këtë aktivitet ishte Kemal Okuyan, Sekretar i Përgjithshëm i KQ të TKP, ndërsa një fjalim përshëndetës mbajti edhe J. Marinos, i cili theksoi si më poshtë:
«Falënderojmë përzemërsisht udhëheqjen e PK të Turqisë dhe përcjellim në këtë aktivitet të sotëm përshëndetjet më të ngrohta shoqërore të KKE. Ne mbështesim luftën e TKP dhe aktivitetet që ajo zhvillon, kundër Samitit të NATO-s. Dënojmë vendimin e autoriteteve turke për ndalimin e protestave në Ankara si dhe çdo lloj shtypjeje e dhune.
KKE është e pranishme në mënyrë militante në aktivitetet e TKP për të dënuar së bashku këtë "aleancë ujqërish" të klasës borgjeze dhe qeveritë e tyre që thurin plane të pista dhe përfshijnë popujt në luftëra dhe plane imperialiste.
NATO, që nga dita e parë e themelimit të saj në vitin 1949, ka qenë roja e kapitalizmit, dora e armatosur e imperializmit kundër popujve, një forcë antikomuniste me shënjestër të drejtuar nga Bashkimi Sovjetik, armike e ndërtimit socialist dhe e lëvizjes revolucionare.
Ajo vazhdon, edhe pas kundërrevolucionit, duke zgjeruar radhët e saj dhe duke ndërmarrë veprime të shumëllojshme ushtarake, me një rol të veçantë në antagonizmat e rrezikshme ndërkombëtare imperialiste.
Ne monitorojmë kontradiktat në kampin euroatlantik, midis SHBA dhe BE, dhe deklarojmë prerazi se çfarëdo forme që të marrë NATO –qoftë "globale" apo "europiane", model 2.0 apo 3.0, siç po diskutohet këto ditë– ajo do të jetë njëlloj e rrezikshme për popujt.
Anëtarësimi i njëkohshëm i Greqisë dhe Turqisë në NATO në vitin 1952 u shërbeu interesave të klasave borgjeze, dhe këtë gjë bën edhe sot, kundër popullit turk edhe atij grek, të cilët kanë pësuar pasoja të rënda nga kjo rrugë e përgjakshme e shënuar nga dhjetëra luftëra imperialiste, ndërhyrje dhe grushte shteti, nën udhëheqjen e SHBA dhe shteteve të fuqishme europiane.




