Skip to content

KKE - TKP: Të fuqizohet lufta e përbashkët e dy popujve kundër planeve të klasave borgjeze dhe aleancave imperialiste

Date:
sht 21, 2026
kke_tkp2

Në një deklaratë të përbashkët për zhvillimet në marrëdhëniet greko-turke, Partia Komuniste e Greqisë (KKE) dhe Partia Komuniste e Turqisë (TKP) përmendin:

«Zhvillimet e rrezikshme që po krijohen në rajonin tonë, i cili ndodhet pranë dhe ndikohet nga frontet e luftërave dhe planet imperialiste në Ukrainë dhe në Gjirin Persik, shkaktojnë një situatë shqetësuese e të ndërlidhur edhe në Mesdheun Lindor, në detin Egje si dhe në marrëdhëniet greko-turke.

Kjo sepse në këto marrëdhënie, të cilat sot përcaktohen nga antagonizmat dhe planet e klasave sunduese borgjeze të së dyja shteteve, përfshihen edhe interesat e klasave të tjera borgjeze dhe fuqive imperialiste, si SHBA, NATO dhe BE.

Në këtë terren, kohët e fundit po bëhet gjithnjë e më i dendur ndikimi në marrëdhëniet greko-turke tensioni mes klasave borgjeze të Turqisë dhe Izraelit, si dhe lidhja e marrëdhënieve politiko-ushtarake dhe ekonomike të klasave borgjeze të Greqisë dhe Izraelit, duke shkaktuar rreziqe për popujt.

Në "lëmshin" e kontradiktave shprehet mënyra se si klasat sunduese dhe monopolet do të ndajnë pasurinë energjetike të rajonit, se si do të planifikojnë rrugët e transportit të Energjisë dhe mallrave, se si do të forcojnë pozitat e tyre në sistemin imperialist botëror.

Këto antagonizma nuk i përkasin klasës punëtore dhe popujve të Greqisë dhe Turqisë! Punëtorët dhe kapitali nuk jemi të gjithë në të njëjtën varkë! Punëtorët në të dyja vendet janë ata që përjetojnë pasojat e dhimbshme nga përgatitja ushtarake dhe rrezikojnë të bëhen mish për top në luftimet të përgjakshme që mund të shkaktohen për interesa të huaja, për fitimet dhe interesat e pronarëve, kapitalistëve, të monopoleve.

Partia Komuniste e Greqisë dhe Partia Komuniste e Turqisë, të cilat mbështeten në internacionalizmin proletar dhe në solidaritetin ndërkombëtar, duke përfaqësuar interesat punëtore - popullore, luftojmë kundër:

Shpenzimeve të luftës dhe përgatitjes ushtarake.

Nacionalizmit dhe racizmit.

Shkeljeve të kufijve dhe vënies në dyshim të Traktateve Ndërkombëtare që kanë përcaktuar kufijtë në rajon, si dhe çdo lloj kërcënimi.

Gjithashtu, dënojmë përpjekjet për të krijuar fakte të kryera në Egje dhe Mesdheun Lindor nga pozita te fuqisë ushtarake, si dhe garën e armatimeve të të dyja shteteve që krijojnë terren për përplasje ushtarake.

Mbështesim qëndrimin e mosndryshimit të kufijve dhe Traktateve që i përcaktojnë ato.

Luftojmë për çangazhimin/shkëputjen e dy shteteve nga planet imperialiste, për rikthimin e forcave ushtarake nga misionet e NATO-s dhe misionet e tjera imperialiste jashtë kufijve.

Luftojmë për shkëputjen e shteteve tona nga bashkimet imperialiste të NATO-s dhe BE-së, për të dëbuar bazat amerikane dhe të NATO-s nga vendet tona, kundër marrëdhënieve të dy vendeve me Izraelin, shtetin-vrasës të popullit të Palestinës.

Partitë Komuniste të Greqisë dhe Turqisë i bëjmë thirrje klasës punëtore, shtresave të tjera popullore, sepse tani është e nevojshme të fuqizohet lufta e përbashkët e dy popujve kundër planeve të klasave borgjeze dhe aleancave imperialiste.

Kërkojmë të respektohet vullneti i dy popujve fqinjë, të cilët dëshirojnë dhe kërkojnë të jetojnë në paqe, dhe me luftën e tyre të përbashkët mund të bëhen protagonistë, të hapin rrugën e përmbysjes së sistemit të shfrytëzimit dhe luftërave, për shoqërinë e re socialiste.»