Po shtohen ndërhyrjet e përfaqësuesve të shtabeve të ndryshme borgjeze të cilët shprehin shqetësim për përshkallëzimin e antagonizmave imperialistë dhe paralajmërojnë për një rrugë pa kthim drejt përgjithësimit të konflikteve.
Duke folur për krizat e njëpasnjëshme të 15 viteve të fundit, drejtoresha e FMN-së tha para pak ditësh se «nuk e kemi kuptuar ende që kështu do të jetë bota tani e tutje». Në të njëjtën frymë, kryetarja e BQE-së foli për «një periudhë me kriza të njëpasnjëshme, nga pandemia dhe lufta tokësore në kontinent, deri te kriza energjetike dhe rritjet e gjera të tarifave doganore».
Në majin e kaluar, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s kishte thënë se «jemi tashmë brenda stuhisë» dhe paralajmëroi se «vendet e NATO-s nuk mund të marrin më si të mirëqenë një periudhë stabiliteti dhe paqeje». Kreu i Organizatës Botërore të Tregtisë, nga ana e tij, deklaroi se «bota po shkon drejt një rënieje globale ekonomike për shkak të krizave të shumëfishta dhe konfliktuale».
Krah këtyre, kreu i JP Morgan tha së fundmi se «Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar», pasi «ka tashmë beteja në terren të koordinuara nga një sërë shtetesh». Ai paralajmëroi madje se «nuk mund të jemi naivë (...) Nuk mund t'i lihemi mundësisë që kjo gjë do të zgjidhet vet vetiu».
Të gjithë këta përshkruajnë me cinizëm fazën e re, ku antagonizmat midis qendrave imperialiste kanë prekur kulmin, marrëveshjet e vjetra nuk janë më të afta të ruajnë kompromise të brishta dhe gjithnjë e më shumë po flasin armët.
Ajo që gjykohet për herë të parë pas Luftës së II Botërore, është beteja për supremacinë në sistemin imperialist botëror midis SHBA dhe Kinës, me një përplasje të kampit euroatlantik dhe atij euroaziatik që po formohet.
Siç shënon Vendimi Politik i Kongresit të XXII të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), «përballja për pushtimin e majës së piramidës imperialiste është e pamëshirshme. Ajo shfaqet në një terren vazhdimisht të zgjeruar të kundërshtimeve në sektorë me rëndësi strategjike të ekonomisë», si rezultat i rënies së fuqisë ekonomike të SHBA në raport me forcimin e Kinës. Brenda këtyre kushteve, lufta është mënyrë ekzistence për klasën borgjeze...
Të gjitha këto që përshkruajnë tablonë e madhe të zhvillimeve dhe antagonizmave, nuk kanë asnjë lidhje me klimën e lehtësimit dhe entuziazmit që transmetojnë që nga dje mediat dhe shtabet borgjeze për marrëveshjen e brishtë SHBA-Iran.
«Rikthehet paqja», «do të kthehen çmimet e karburanteve», «u shmang më e keqja» janë disa nga ato që shkruhen, në jehonën e dështimit të SHBA për të arritur objektivat e tyre ushtarake, pavarësisht rrebeshit të zjarrit së bashku me Izraelin dhe «aleatët» euroatlantikë.
Pak a shumë, ata e paraqesin konfliktin në Lindjen e Mesme si një «sherr» dhe... keqkuptim, që tani po shfryhet me një marrëveshje «gjysëm-për-gjysëm», pas së cilës bota mund ta shohë të ardhmen me tjetër sy, pa u shqetësuar për një përshkallëzim të ri.
Kompromisi i brishtë në Lindjen e Mesme – nëse përfundimisht arrihet – jo vetëm që nuk e zhbën, por konfirmon tendencën e përgjithshme të mprehjes së antagonizmave dhe konflikteve. Lufta është «normaliteti» i ri në sistemin imperialist, ku konfliktet bashkëjetojnë me pazaret për marrëveshje të përkohshme, ri-rreshtime në kampet imperialiste, «thyerje» aleancash dhe formim të aleancave të reja.
Të gjitha këto së bashku çojnë më lart termometrin e kundërshtive, duke tërhequr gjithnjë e më shumë njerëz në vorbullën e tyre. Në këto kompromise gjendet fara e përshkallëzimit të ardhshëm, edhe më të mprehtë, të konflikteve, siç pamë të ndodhte rregullisht në Lindjen e Mesme, midis luftës së qershorit të kaluar dhe asaj të shkurtit, që shkaktoi ndërhyrja e SHBA-Izraelit në Iran.
Kjo tendencë e pashmangshme pasqyrohet edhe në rekordin e konflikteve imperialiste në vitin 2025: 65 vatra aktive në 35 shtete, numri më i lart pas Luftës së II Botërore.
Prandaj, nuk ka vend për asnjë vetëkënaqësi apo fjetje mendjeje. Shkaqet që lindin luftën imperialiste nuk janë thjesht këtu, por ato po mprehen vazhdimisht. Përfshirja greke për interesat e klasës borgjeze është filli që e lidh tashmë popullin me frontet e luftës imperialiste.
Sa më shumë që ata përpiqen për të rrënjosur një «kulturë arkivolesh», aq më shumë populli dhe rinia duhet të përgatisin dhe të organizojnë kundërsulmin e tyre. Në rreshtim militant me Partinë Komuniste të Greqisë (KKE), të forcohet kudo rryma e kundërshtimit të politikës së fitimeve dhe të luftës, përplasja me sistemin e kalbur kapitalist, ku çdo zhvillim i ri konfirmon nevojën për përmbysjen e tij.
Botuar në gazetën «Rizospastis» - Organ i KQ të KKE
