Në nëntor të vitit 2022 u nënshkrua marrëveshja për dorëzimin e Kantierit Detar të qytetit Elefsina te kompania amerikane ONEX. Kishte pararendur në vitin 2018 një marrëveshje e ngjashme treguese për kantierët e ishullit Siros, të cilat gjithashtu ishin zhvlerësuar - degraduar, me përgjegjësi të shtetit dhe të punëdhënësve. Atë ditë, deklaratat e zyrtarëve qeveritarë dhe të përfaqësuesve të firmës shumëkombëshe amerikane për «marrëveshjen historike», ishin të tepërta.
Përtej shkatërrimit të së drejtave të punës në të dy këto kantierë, ajo që u duk qartë që nga momenti i parë ishte planifikimi për integrimin e tyre në planet ushtarake - luftarake të SHBA - NATO - BE, duke marrë një pjesë të majme nga "tepsia" e ekonomisë së luftës. Kjo ishte edhe arsyeja pse më pas shfaqi interes për të investuar edhe banka amerikane e zhvillimit DFC.
Këto plane "u maturuan" dhe filluan të marrin form të plotë me projektligjin për shndërrimin e Elefsinës në një nyjë tregtare dhe ushtarake të Amerikanëve, konkurruese ndaj portit të qytetit Pirea, funksionimi i të cilit kontrollohet nga COSCO kineze. Përfshirja e kantierit detar në këto plane është vendimtare. Pronarja ONEX fitoi të drejtën për të zhvilluar infrastrukturë portuale dhe të mallrave, duke u futur si pykë në interesat kineze për llogari të amerikanëve.
Tani, përsëri me "bekimet" e qeverisë dhe heshtjen bashkëfajtore nga të gjitha partitë sistemike, ONEX-i ngrihet në nivelin e ofruesit... të shërbim-riparimeve dhe mirëmbajtjeje për Flotën e 6-të, duke integruar edhe më shumë këto Kantiere Detare në planet luftarake të NATO-Amerikanëve. Me marrëveshjen e nënshkruar të premten, dy instalimet e kantierëve detar marrin përsipër, ndër të tjera, të mbajnë në funksionim të plotë armatat amerikane që operojnë për «sigurinë» imperialiste në Mesdhe dhe Afrikë.
Vlen të përmendet se po flasim për flotën që është e ngarkuar me promovimin e «sovranitetit energjetik» të SHBA në rajonin e gjerë, me sigurinë d.m.th të investimeve amerikane në nxjerrjen dhe transportin e Energjisë në të gjithë Mesdheun, tek e cila mbështetet për përmirësimin e saj edhe klasa borgjeze në Greqi.
Ja se si gërshetohen interesat ekonomike - energjetike me planifikimet ushtarake, ku faturën i shkon gjithmonë punëtorëve dhe popullit, të cilët e paguajnë me shtypjen e të drejtave të tyre në kohë paqeje imperialiste, por edhe me vetë gjakun e tyre kur konkurrenca arrin në pikën e vlimit luftarak.
Shndërrimi i kantierëve detar në infrastrukturë ushtarake -në thelb- përbën një tjetër hallkë që lidh vendin dhe popullin me planet imperialiste dhe luftërat. Dhe vetë ky zhvillim i shndërron edhe më shumë strukturat e kantierëve detar në objektiv të hakmarrjeve - kundërpërgjigjeve ushtarake nga kampet imperialiste rivale të NATO-s. Vendi ynë, përveç pikënisjes së sulmeve NATO-Amerikane, tani bëhet edhe bazë riparimi për anijet e tyre të luftës, duke rritur rreziqet për popullin.
Heshtja e të gjitha partive të euroatlantizmit ndaj kësaj marrëveshjeje të rrezikshme përbën pohim. Këto parti sajojnë sherre të rremë mes tyre për çështje shumë më të vogla, ndërsa përpara çështjeve të mëdha për klasën borgjeze dhe aleatët e saj, bëhen në një mendje dhe bashkëpunojnë.
Mbi të gjitha, në rastin e Kantierit të Elefsinës është vërtetuar bashkëfajësia e të gjithëve për rrugën e degradimit - zhvlerësimit, përpara se firma shumëkombëshe amerikane të «vishej» si shpëtimtare, ndërsa marrëveshja për «shpëtimin» e Kantierëve të ishullit Siros mban nënshkrimin e qeverisë së atëhershme të Cipras, që hapi rrugën dhe formësoi modelin për vazhdimësinë. Me fjalë të tjera, Cipras dhe ONEX-i amerikan njihen që moti...
Populli mund të shohë tani më qartë se planet e tyre të zhvillimit ecin dorë për dore me përfshirjen më aktive të vendit në plane dhe konkurrenca që mbajnë erë baruti. Dhe kjo ndodh sepse zhvillimi i tyre ka si kriter fitimet e kapitalit. Aty gjendet shkaku i vërtetë edhe për luftërat e tyre. Brenda këtyre kushteve të zymta, merr një kuptim edhe më të madh parrudha - Thirrje për kundërsulm: «asnjë sakrificë për fitimet dhe luftërat e tyre».
Zhvillimi me Kantierët Detar zbulon nga njëra anë mundësitë e jashtëzakonshme prodhuese dhe nga ana tjetër karakterin shkatërrues të pronësisë kapitaliste dhe të funksionimit të tyre me kriter interesat, konkurrencën dhe fitimet e një grushti grupesh biznesi. Prej kësaj duhet të çlirohet populli, duke luftuar për kantierë detare - pronësi shoqërore, në shërbim të nevojave bashkëkohore popullore!
Artikulli ribotohet nga rubrika «I Apopsi mas» e gazetës «Rizospastis» të ditës së Mërkurë, 3 qershor 2026
