Skip to content

PROVOKIM NGA KOMISIONI EUROPIAN!

Kërkon të tërhiqen pyetjet e pashmangshme të së vërtetës historike që rrezaton sakrifica e 200 heronjve komunistë të Kesarianisë
Date:
pri 28, 2026
afisa-antifasistiki-essd

Komisioni Europian kërkon në mënyrë provokuese tërheqjen e pyetjes së Grupit Euro-parlamentar të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), e cila, bazuar në dëshmitë tronditëse të fotografive të 200 komunistëve që u përballën me bishën naziste, demaskon karakterin anti-historik të ideologjisë së BE-së për barazimin e komunizmit me bishën e fashizmit, si dhe zbulon qëndrimin minues dhe të qëllimshëm të BE-së ndaj kërkesës së drejtë për dëmshpërblimet gjermane të luftës për mizoritë naziste në Greqi.

«Rrëfimet historike dhe dëmshpërblimet e luftës nuk lidhen me kompetencat e Komisionit», pretendon pa turp Komisioni Europian, duke nxitur tërheqjen e pyetjes.

200 komunistët e pushkatuar në qytetin e Kesarianis dhe madhështia e kontributit të tyre nuk janë një "rrëfim", siç pretendon BE-ja, por një e vërtetë historike e pamohueshme që është një "halë në sy të saj".

Është e qartë se BE-ja shqetësohet jashtë mase nga pyetje të tilla, sepse ato nxjerrin në pah se sakrifica e 200 heronjve të popullit tonë dokumenton dështimin e teorisë së saj të "dy anëve ekstreme", të barazimit të xhelatit me viktimën, duke u përpjekur të shfajësojë mizoritë naziste dhe të varrosë kërkesën për dëmshpërblim të plotë dhe të menjëhershëm nga Gjermania.

Por në të vërtetë, kush po bën thirrje hipokrite për "mungesë kompetence"? Bashkimi Europian, i cili:

  • Ka vendosur 23 gushtin (ditën e nënshkrimit të Paktit të mos-sulmit Molotov-Ribbentrop) si "Ditën Europiane të Kujtimit për Viktimat e Nazizmit dhe Komunizmit".
  • Pagëzon 9 majin, ditën e Fitores së Madhe Antifashiste të Popujve, si ditën e... Bashkimit Europian, duke u përpjekur –më kot– të fshijë memorjen historike.
  • Mbështet shtetet anëtare që përpiqen të ndalojnë Partitë Komuniste, siç po ndodh tani në Poloni.
  • Përpiqet të paraqesë si të vërtetë historike mite si ai i Holodomor-it apo i Katin-it, dhe mirëpret në Parlamentin Europian çdo lloj aktiviteti të fashistëve.
  • Ka ngritur një industri rezolutash anti-komuniste, që përmbysin historinë e shkruar me gjak nga vetë popujt.
  • Ofron mbulim për sulmet dhe mizoritë imperialiste kudo në botë, si ato të aleatëve të saj, SHBA dhe Izraelit.
  • Ndalon në Parlamentin Europian aktivitetet e solidaritetit me popullin e Kubës dhe mbështet planet imperialiste për shtypjen e tij.

Të gjitha këto "bien në kompetencën e tij". Por jo dëmshpërblimet për krimet e nazistëve, jo borxhi i detyrueshëm i pushtimit dhe grabitja e thesareve arkeologjike, të cilat janë përcaktuar nga konventa ndërkombëtare që detyrojnë dy shtete anëtare të saj.

Politika e thellë reaksionare dhe klasore e BE-së është në ADN-në e çdo aleance imperialiste ndërshtetërore. Prandaj nuk mund të fshihet "alergjia" e saj ndaj çdo gjëje që dokumenton dy botët që përplasen: atë të punëtorëve – prodhuesve të pasurisë nga njëra anë dhe të shfrytëzuesve të tyre nga ana tjetër.

Antikomunizmi shkon dor për dore me përfshirjen në luftë dhe kthesën drejt ekonomisë së luftës, shfrytëzimin e punës, dhe mbi të gjitha me frikën se popujt me luftën e tyre mund të përmbysin sistemin e sotëm të kalbur që shërben BE-ja, duke ndërtuar shoqërinë e re socialiste - komuniste.

Pyetja nuk tërhiqet, as e vërteta historike dhe pyetjet e pashmangshme që ajo shtron duke rrezatuar!

Përgjigjen më të mirë do ta japin "detet" e demonstruesve, punëtorëve dhe rinisë në sheshet dhe bulevardet e mbarë botës, në ditën e tyre, në ditën e klasës së tyre, në 1 Maj, në ditën e sakrificës së 200 heronjve komunistë.