Punëtorët detarë në të gjithë sektorët e anijeve tragete, me pjesëmarrjen e tyre të vendosur, militante dhe të gjithanshme në grevën që shpallën dhe realizuan sindikatat e tyre nga data 15 dhjetor, u rikthyen fitimtarë në postet e tyre të punës pas 3 ditësh greve.
Ata kishin kërkesa konkrete, të cilat lidhen me forcimin e ekuipazheve të anijeve, masat e sigurisë, si dhe kërkesa për rritjen e pagave.
Punëtorët detarë mbrojtën grevën e tyre në hyrjet e anijeve, duke realizuar mbledhje grevash të ekuipazheve, duke pasur solidaritetin e shumë sindikatave të sektorit privat dhe atij shtetëror si dhe mbështetjen vendimtare nga Qendra Punëtore e qytetit Pireas. Ata ia dolën të thyenin qëndrimin e pandryshueshëm të punëdhënësve, duke arritur një rezultat fitimtar për grevën më 18 dhjetor.
Siç theksohet në njoftimin e sindikatave të mekanikëve të anijeve: «Plotësimi i pjesës më të madhe të kërkesave tona, kundër pronarëve të anijeve që luftuan me çdo mënyrë për ta thyer dhe përfunduar grevën që në orët e parë, vërteton se asgjë nuk na jepet falas dhe se çdo gjë që arrijmë e fitojmë me luftën tonë, solidaritetin dhe luftën e organizuar, kundër interesave të kapitalit, pronarëve të anijeve dhe të gjitha qeverive deri më sot që mbështesin ata.»
