Skip to content

Punonjësit e sektorit publik dërguan mesazh militant, duke nxjerrë për herë të parë në vendin e 1-rë sindikalistët e DAS, që mbështeten nga KKE

Date:
dhj 15, 2025
das-adedy-12

Javën që kaloi përfunduan në Athinë punimet e Kongresit të 39-të të Administratës së Larë të Sindikatave të Punonjësve Publikë (ADEDY), organizatës sindikale e shkallës së tretë në sektorin Publik, e cila është Konfederata që bashkon të gjitha sindikatat e punonjësve në sektorin publik: mësuesit, profesorët, punonjësit në shëndetësi, mjekët, punonjësit në pastrim dhe shërbime në administratën shtetërore lokale (Bashki dhe Prefektura), në universitetet publike, në ministritë dhe shërbimet e tjera të sektorit publik.

Vëmë në dukje gjithashtu se në Greqi ekzistojnë dy Konfederata, ajo e sindikatave të sektorit publik (ADEDY) dhe Konfederata e sindikatave të sektorit privat (GSEE), ku janë të përfshira të gjitha sindikatat, pavarësisht nga besimet politike të punonjësve që i përbëjnë ato. Megjithatë, brenda sindikatave, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat zhvillohet një luftë e ashpër ideologjike-politike për orientimin e çdo sindikate, për qëndrimet dhe kërkesat që kjo paraqet. Kjo luftë shprehet edhe në votimet e tyre për zgjedhjen e udhëheqjeve të sindikatave.

Kjo ndodhi edhe në kongresin e 39-të të ADEDY, ku ishin zgjedhur 650 delegatë që përfaqësonin 36 Federata sektoriale – anëtare të ADEDY ose 1.040 sindikata të nivelit të parë dhe më shumë se 250 mijë punonjës publikë që morën pjesë në zgjedhjet e sindikatave të tyre dhe në përzgjedhjen e delegatëve për kongresin e 39-të të ADEDY.

Në këtë kongres, Bashkimi Militant Demokratik (DAS), grupimi që mbështetet nga Partia Komuniste e Greqisë (KKE) dhe përbëhet nga sindikalistë që bashkohen në Frontin Militant Mbar-punëtorë (PAME), fitoi vendin e 1-rë duke marrë mbështetje nga 168 delegatë, pra 25.57% dhe duke zgjedhur 22 vende në bordin e ri drejtues të Konfederatës (nga 134 vota, 21.3% dhe 18 vende që kishte në vitin 2022). Për herë të parë në 100 vitet e ekzistencës së Konfederatës ADEDY, grupimi që mbështetet nga Partia Komuniste e Greqisë (KKE) fiton vendin e parë.

Në vendin e dytë u gjend grupimi i DAKE, i partisë së djathtë ND, në qeveri të Greqisë, e cila për 10 vitet e fundit ka qenë forcë e parë tek punonjësit publikë të vendit dhe tani ka rënë në 21.77%. Pas saj vjen grupimi i partisë socialdemokratike PASOK me 17.5% dhe një ulje forcash nga kongresi i mëparshëm, si dhe forcat e partive socialdemokratike SYRIZA dhe Nea Aristera me dy lista të përziera, që morën 12.3% dhe 9.7%.

Në këtë mënyrë, punonjësit publikë të vendit dërguan një mesazh kundërshtimi ndaj politikës që varfëron punonjësit publikë dhe gjithë popullin, që shton shtypjen ndaj lëvizjeve popullore dhe promovon ndryshime edhe më reaksionare në shtetin kapitalist antipopullor si dhe e përfshin vendin dhe popullin tonë në luftëra imperialiste.

Në njoftimin përkatës të PAME-s, theksohet ndër të tjera: «Rezultati i Kongresit është shprehje e gjallë e ngjitjes së luftërave klasore për të jetuar ashtu siç na takon, bazuar në pasurinë e madhe që prodhohet, mundësitë që ofrojnë arritjet bashkëkohore shkencore. Përbën një njohje nga ana e punonjësve ndaj përpjekjeve të përditshme të sindikalistëve të DAS për të ringjallur Federatat dhe sindikatat, për t'u emancipuar nga synimet e shtetit, për të hyrë me vrull në luftë.

Na mbush me përgjegjësi më të madhe për t’u forcuar rryma e kundërsulmit militant, antikapitalist – antimonopoliste brenda lëvizjes së organizuar të punonjësve publikë. Do të vazhdojmë të pa lodhur, me vendosmëri më të madhe së bashku me të gjithë punonjësit të jemi në linjën e parë për të organizuar luftën tonë në çdo sektor të shtetit, në koordinim me punëtorët e sektorit privat, me fermerët që luftojnë, me të vetëpunësuarit e qytetit, së bashku me fëmijët tanë në shkolla dhe universitete. Me kriter nevojat tona bashkëkohore do të vazhdojmë të luftojmë për rindërtimin e lëvizjes punëtore – popullore. Dilema ishte dhe mbetet: «Fitimet e tyre apo jetët tona».

Të gjithë dhe të gjitha në sindikata! Të gjithë në luftë!»

das-adedy-8