Arrestimin e dy anëtarëve të Unionit të Rinisë Komuniste Leniniste të Ukrainës denoncohet nga Grupi Europarlamentar i Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) me një pyetje urgjente nga eurodeputeti i KKE, Kosta Papadhakis, drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme Z. Borel.
Siç thuhet në pyetje:
“Arrestimi i Sekretarit të Parë të Unionit të Rinisë Komuniste Leniniste të Ukrainës, Mihail Kononovich, dhe vëllait të tij Aleksander, nga autoritetet ukrainase ngre shqetësime serioze, ndërkohë që ka pretendime se jeta e tyre është e kërcënuar.
Në një kohë që konflikti imperialist është ndezur pas pushtimit të Rusisë mbi bazën e antagonizmave të saj me SHBA, NATO-n dhe BE-në, qeveria ukrainase po vazhdon me persekutimin e paarsyeshëm të dy të rinjve komunistë. Shfrytëzon antikomunizmin, i cili është politikë zyrtare e saj si dhe e BE-së, dhe zbaton kuadrin ligjor të papranueshëm antikomunist që barazon pa mëdyshje dhe në mënyrë provokative fashizmin me komunizmin. Në të njëjtën kohë, grupet fashiste-neonaziste po veprojnë të pashqetësuara si pjesë e ushtrisë ukrainase dhe po sulmojnë ukrainasit që janë persekutuar dhe, këto grupe, shfrytëzohen për vite me radhë kundër popullit ukrainas, si në vitin 2014 me ndërhyrjen e hapur imperialiste të SHBA-NATO-BE në atë vend, por dhe sot e kësaj dite.
Antikomunizmi, që shoqëron gjithmonë politikën antipopullore, është veçanërisht i mprehtë në kushtet e luftës imperialiste, duke synuar që popujt të rreshtohen pas njërit kamp imperialist apo tjetrit. Në veçanti, sot synohet që të shuhet kujtesa kolektive e popujve ukrainas dhe rus që për dekada të tëra bashkëjetuan në paqe në kushtet e socializmit në BRSS.
Nisur nga sa më sipër, eurodeputeti i KKE dorëzon pyetjen e mëposhtme:
“Si i përgjigjet Zëvendëskryetari i Komisionit/Përfaqësues i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë ndaj pyetjes urgjente për lirimin e menjëhershëm të dy komunistëve të sapoarrestuar, si dhe për heqjen e të gjitha persekutimeve dhe ndalimeve antikomuniste në këtë shtet?"
10.03.2022
