Skip to content

Dhimitri Kucubas::Që të fitojë populli duhet të humbasë kapitali

Date:
qer 11, 2026
koutsoumpas-vouli-01

Faktin se Partia Komuniste e Greqisë (KKE) denoncoi që në momentin e parë si propozimet reaksionare të qeverisë për Rishikimin e Kushtetutës, ashtu edhe procedurën e papranueshme që po ndiqet, vuri në dukje Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), Dhimitri Kucubas, i cili foli më 10/6/2026 në diskutimin që u zhvillua në Parlamentin e Greqisë mbi procedurat e rishikimit të Kushtetutës.

Ai vuri në dukje se pas dilemave të rreme, qoftë për gjoja forcimin e shtetit të së drejtës, qoftë për rikthimin në normalitetin europian dhe ndryshimin e qeverisë, synohet fshehja e konsensusit midis qeverisë dhe opozitës, të cilat kryejnë një «sherr të përshtatshëm» për ta dhe një «debat për të çorientuar vëmendjen, larg nga problemet reale» që përjeton populli, të cilat acarohen në kushtet e një përfshirjeje më të thellë të vendit në luftërat imperialiste dhe të një krize të re të mundshme ekonomike kapitaliste. Ai nënvizoi se të gjitha partitë e sistemit bien dakord me synimet e rrezikshme për popujt, siç janë mbështetja e planeve investuese për rritjen e fitimeve, fuqia e shtuar e legjislacionit të papranueshëm të BE-së dhe imuniteti ministror.

Ai shtoi se avancimi i qëllimeve reaksionare ka nevojë për «stabilitet politik», i cili, megjithatë, do të thotë pasiguri dhe paqëndrueshmëri për popullin, duke kritikuar ashpër propozimet që kanë synim kontrollin më të mirë të funksionimit të partive, censurën më të madhe në media dhe sulmin më të madh ndaj të drejtave dhe lirive shoqërore të popullit.

«Që të fitojë populli duhet të humbasë kapitali», nënvizoi ai dhe propozoi shfuqizimin e neneve reaksionare që mbështesin shndërrimin e Greqisë në një bazë të pafundme ushtarake NATO-Amerikane, shfuqizimin e nenit që parashikon përjashtime provokuese nga taksat dhe privilegje për kapitalin e pronarëve të anijeve, sigurimin e Shëndetësisë, Arsimit dhe Sigurimeve Shoqërore plotësisht publike dhe falas, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e të drejtave të punës dhe sindikale, si dhe punë të përhershme e të qëndrueshme për të gjithë. «Të gjitha këto, të cilat vetë populli do t'i imponojë, duke rritur vështirësitë tuaja, paqëndrueshmërinë e sistemit tuaj, rrymën e kontestimit të së gjitha këtyre. Populli, me luftën e tij të organizuar, duke forcuar KKE, do të fshijë nga faqja e dheut këtë sistem të kalbur të shfrytëzimit, varfërisë dhe luftërave», përmendi Sekretari i Përgjithshëm i KQ të KKE.