Skip to content

Qëndrimet e mjera dhe të rrezikshme të qeverisë dhe partive borgjeze të Greqisë mbi zhvillimet në Venezuelë

Date:
jan 6, 2026
mitsotakis4

Një lapidar turpi, në shërbim të përfshirjes për interesat e kapitalit, është qëndrimi i qeverisë Greke dhe deklaratat e kryeministrit mbi zhvillimet në Venezuelë, të cilat plotësohen nga reagimet e partive të tjera borgjeze dhe lufta e rreme midis tyre se kush e mbron më mirë... "të drejtën ndërkombëtare".

Pas disa orësh heshtjeje, me një postim të mjerë, kryeministri riprodhon pretekstet qesharake për ndërhyrjen brutale dhe flagrante, duke njohur "të drejtën" e SHBA për të organizuar grushte shteti, për të rrëzuar qeveritë dhe ndërhyrjet sipas interesave të tyre.

«Nuk është momenti i duhur për të komentuar mbi ligjshmërinë e akteve të fundit» (!), pohoi në mënyrë vulgare Kir. Micotakis në postimin e tij, duke e hedhur në koshin e plehrave edhe atë rreckë që e quajnë «e drejtë ndërkombëtare» të cilën e shfrytëzojnë siç u intereson për të justifikuar krimet e tyre.

Maskat po bien përsëri mbi atë që përcakton marrëdhëniet midis shteteve kapitaliste dhe politikën e jashtme të qeverive aktuale dhe të mëparshme: Interesat dhe fitimet e kapitalit, grabitja e burimeve prodhuese të pasurisë, të energjisë, antagonizmat e ashpra dhe të pakufizuara për kontrollin e "sferave të ndikimit" dhe tregjeve. Kjo është "kuintesenca" e "ligjit" të tyre imperialist.

Por edhe partitë e tjera borgjeze, me njoftimet dhe ndërhyrjet e tyre, e çuan edhe më tej hipokrizinë dhe shpëlarjen e shkaqeve të vërteta pas sulmit ushtarak ndaj popullit të Venezuelës.

PASOK, SYRIZA, Nea Aristera (shënim i përkthimit: partitë socialdemokrate të Greqisë) si dhe parti të tjera e denoncojnë ndërhyrjen si "Trumpizëm", duke mos folur për faktin se agresioni kundër popujve të Amerikës Latine -dhe jo vetëm- është politika e të gjitha qeverive amerikane, Demokratike dhe Republikane, të cilat e trajtojnë rajonin si një «oborr të pasmë» të tyre dhe «zonë me interes strategjik» për klasën borgjeze të SHBA kundër konkurrentëve të saj, Kinës dhe Rusisë.

Përveç kësaj, «shpallja e një gjendjeje të jashtëzakonshme kombëtare për Venezuelën» filloi në vitin 2015 nga qeveria e Demokratëve, ashtu si edhe sanksionet përkatëse, të cilat më pas u zgjeruan me përpjekje për grushte shteti dhe pazarllëqe, siç është menaxhimi i përbashkët i burimeve të naftës midis «Chevron»-it amerikan dhe kompanisë shtetërore të Venezuelës.

Sa i përket ankesave për shkeljen e «ligjit ndërkombëtar» nga «e drejta e të fortit», janë po ata që festonin përmbysjen e Asad-it në Siri dhe shpallën xhihadistët si një “qeveri kalimtare”, të cilën SHBA dhe aleatët e saj ia imponuan Sirisë.

Janë të njëjtët që dy vjet më parë “fshinë” 7 dekada të pushtimit izraelit dhe folën për “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje”, duke riprodhuar pretekstet e “terrorizmit” që shteti vrastar dhe aleatët e tij Euroatlantikë i shfrytëzuan për të bërë gjenocid mbi popullin Palestinez.

Ata hyjnizojnë BE-në, e cila madje njohu ...grushtin e shtetit që do vinte në Venezuelë, Guaido-n, ndërsa mbuloi plotësisht ndërhyrjen amerikane dhe shpëlanë të gjitha pretekstet, duke konfirmuar kontributin dhe pjesëmarrjen e saj vendimtare në planet kriminale kundër popullit venezuelian.

Por ka edhe “anti-sistemikë” të sistemit, siç është Konstantopulu (shënim i përkthimit: kjo është ish-kryetarja e Parlamentit të Greqisë, ish-zyrtare e SYRIZA-s dhe aktualisht Presidente e partisë «Plevsi Eleftherias»), e cila deri mbrëmë nuk kishte thënë asnjë fjalë për ndërhyrjen e ndyrë të SHBA. Dhe kur e bëri, ajo denoncoi se sulmi amerikan u krye «pa asnjë legjitimitet demokratik, duke injoruar plotësisht Kongresin», me ripërtypjet e njohura për shkeljen e «ligjit ndërkombëtar».

Velopulos (shënim i përkthimit: ky është presidenti i partisë «Eliniki Lisi», ish-zyrtar i ND-së), pas heshtjes së zgjatur kohore, nxitoi të riprodhonte pretekstet imperialiste për “trafikimin e drogës” në Venezuelë. Edhe një herë, vërtetohet se “anti-sistemizmi” i tyre i rremë ndalet te lecka e derës ku fshijnë këmbët e tyre NATO-amerikanët...

Vetëm Partia Komuniste e Greqisë (KKE) qëndron kundër të gjithëve dhe qëndrimit të tyre të rrezikshëm për popullin. Që nga momenti i parë, KKE dënoi krimin imperialist dhe shprehu solidaritetin e saj të pandarë me popullin e Venezuelës, i cili është i vetmi përgjegjës për të vendosur dhe përcaktuar për interesat e tij të ardhmen e vet dhe të atdheut.

Tubimet e mëdha të së shtunës, në Athinë jashtë ambasadës amerikane dhe në qytete të tjera, dhanë një përgjigje të parë dhe të menjëhershme dhe dërguan një mesazh të qartë: Qeveria dhe partitë e tjera nuk kanë legjitimitet për të përfshirë popullin në planet e ndyra amerikano-NATO-ike, të cilat ndezin vatra të reja lufte dhe afrojnë mundësinë e një zjarri të përgjithësuar.

Artikull i botuar në gazetën «Rizospastis», organi i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE)