Skip to content

ZYRA E SHTYPIT E KQ të PARTISË KOMUNISTE TË GREQISË (KKE):Shpallje për pushtimin rus të Ukrainës

Date:
shk 24, 2022
kke

Zyra e Shtypit e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) lëshoi deklaratën e mëposhtme për pushtimin rus të Ukrainës:

«30 vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe përmbysjes së socializmit, për të cilin të shumtë ishin ata që festonin, sepse supozohej se bota do të bëhej më “paqësore” dhe “më e sigurt”, një tjetër luftë imperialiste shpërtheu në tokën europiane pas luftës në Jugosllavi dhe gjetkë.

Fillimi tipik i luftës është ndërhyrja e papranueshme ushtarake dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, edhe pse lëndët djegëse ishin grumbulluar gradualisht në rajon prej vitesh.

Pavarësisht preteksteve të përdorura nga të dyja palët, lufta në Ukrainë është rezultat i antagonizmave të intensifikuara midis dy kampeve ndërluftuese, duke u fokusuar para së gjithash në sferat e ndikimit, në pjesët e tregut, në lëndët e para, në planet energjetike dhe rrugët e transportit, antagonizma të cilat nuk është e mundur që të zgjidhen më me mjete diplomatike-politike dhe kompromise të brishta.

Nga njëra anë gjenden SHBA-të, NATO dhe BE, të cilat mbështesin qeverinë reaksionare të Kievit, mekanizmat paraushtarake dhe grupet fashiste të Ukrainës dhe që, prej vitesh, kanë promovuar qëndrimet e tyre (zgjerimin e NATO-s me shtete nga Evropa Lindore, mburojën kundër raketave, etj.), që synojnë rrethimin ekonomik, politik dhe ushtarak të Rusisë.

Nga ana tjetër gjendet Rusia kapitaliste, e cila po promovon planet e veta për bashkimin kapitalist të vendeve të ish-BRSS, e cila vitet e fundit ka vazhduar me aneksimin e Krimesë në Federatën Ruse dhe njohjen e fundit të "pavarësisë" e të ashtuquajturave "Republika Popullore" të Donjeckut, të Luganskut.

Është një vërtetim ky se lufta është vazhdim i së njëjtës politikë me mjete të tjera, të dhunshme. Është provë kjo se lufta imperialiste, vdekja dhe shkatërrimi që ajo shkakton, burojnë në mënyrë të pashmangshme nga antagonizmat kapitaliste.

Përplasja ushtarake po zhvillohet midis dy shteteve, midis Rusisë dhe Ukrainës, popujt e të cilëve kanë jetuar si vëllezër për dekada të tëra dhe përparonin paqësisht në kushtet e socializmit. Të dyja palët po përpiqen të fshijnë këtë kujtesë historike të këtyre dy popujve, duke mobilizuar antikomunizmin dhe antisovjetizmin. Megjithatë, historia nuk fshihet, përkundrazi, ajo dëshmon se zgjidhja gjendet në kundërshtim me sistemin kapitalist që lind varfërinë dhe luftën. Këtë rrugë të ndryshme duhet ta ndjekin këta popuj, të gjithë popujt sot.

Konfrontimi aktual ushtarak tashmë çon, në një luftë me përmasa të paparashikueshme, aq më tepër kur kjo luftë është e lidhur me konfrontimin e përgjithshëm (SHBA-BE-Kinë-Rusi, etj.) për primatin e sistemit imperialist. Viktima, për të shumtën herë, janë popujt e shteteve të përfshira dhe më gjerë, pasi pasojat ekonomike dhe gjeopolitike të këtij konflikti prekin popujt në mbarë botën.

Greqia merr pjesë aktive në këto antagonizma imperialiste, duke synuar azhurnimin  gjeostrategjik të klasës borgjeze greke, që nuk është tjetër veçse pjesëmarrja e saj në grabitjen dhe rishpërndarjen e “byrekut”, e cila bëhet me krime të reja kundër popujve.

Qeveritë greke të ND, PASOK, SYRIZA, kanë mbështetur të gjitha vendimet dhe planet e NATO-s, si dhe planet që kanë të bëjnë me zgjerimin e kësaj organizate vrastare dhe rrethimin e Rusisë. Ata nisën instalimin e bazave të reja të SHBA-NATO në Greqi, si ajo në Aleksandrupoli të Greqisë, e cila është kthyer në një qendër transferimi dhe avancimi të forcave ushtarake në Europën Lindore. Vendi ynë bëhet kështu "vrastari" i popujve të tjerë, por në të njëjtën kohë mund të bëhet dhe "viktimë", pasi automatikisht bëhet objektiv i një kundërpërgjigjeje të mundshme, ashtu siç ka paralajmëruar tashmë edhe Rusia për Aleksandrupolin dhe bazat e tjera ushtarake, ndërsa tashmë Greqia paguan taksa të rënda financiare me shtrenjtësinë, me rritjen e çmimeve të karburanteve, me varfëri energjetike, si dhe në armatime. Ndër të tjera, hapet dhe oreksi i klasës borgjeze turke me pretendimet e tyre të papranueshme në detin Egje dhe çështjen e Qipros.

Përgjigja në favor të interesave të popullit tonë nuk është që të bashkohemi si popull dhe si shtet me njërin imperialist apo me tjetrin. Dilema nuk është me SHBA-të apo me Rusinë, me NATO-n apo me Rusinë. Lufta e punëtorëve dhe e popullit duhet të shënojë një linjë të pavarur nga të gjitha planet borgjeze dhe imperialiste.

Përballë krimit të ri, përgjigja mund të jetë vetëm një: Jo luftës imperialiste. Vetëm popujt munden të dënojnë klasat borgjeze dhe qeveritë e shteteve të tyre, të cilat i çojnë ata në masakër, si në Ukrainë ashtu dhe në Rusi, kudo. Të ndalet menjëherë pjesëmarrja dhe përfshirja e Greqisë. Të mbyllen tani bazat ushtarake të SHBA-NATO në vendin tonë. Të forcohet lufta për çangazhimin/shkëputjen nga aleancat imperialiste të NATO-s dhe BE-së, me popullin pronar në vendin e vet»

 

24.02.2022                                        Zyra e Shtypit e KQ të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE)