Krahas interesit të mediave të huaja për zhvillimet politike në Greqi, po shtohen edhe ndërhyrjet publike të biznesmenëve të mëdhenj vendas. Ata shprehin shqetësimin e tyre për "stabilitetin" dhe u bëjnë thirrje partive politike që duan pushtetin që të bashkëpunojnë për ta mbrojtur atë.
Shqetësimi i këtyre biznesmenëve nuk ka të bëjë me ballafaqimet teknike të sistemit politik, as me sherret mes partive të vjetra dhe të reja, të cilat shfaqen si "shpëtimtarë" të popullit dhe garojnë se kush mund të krijojë një qeveri më të stabilizuar. Të gjitha këto parti janë zgjedhje të sigurta për klasën borgjeze, e cila po përpiqet përsëri të riciklojë ndarjen e vjetër "e djathtë - e majtë" dhe dilemat false se cila qeveri do të jetë më e mirë, duke u shtirur sikur kapitalizmi mund të ketë një fytyrë njerëzore.
Ajo që i tmerron ata më shumë se çdo gjë tjetër është opsioni se populli mund të ngrihet dhe të godasë vendimet e tyre strategjike që lidhen me "masat shtrënguese në ekonomi", përfshirjen në luftëra, planet e biznesit të madh për energjinë, aleancat ushtarake (si NATO) dhe vetë institucionet e shtetit.
Ata e dinë mirë se zemërimi që vlon në shoqëri, nën disa parakushte, mund të kthehet në mënyrë masive kundër këtyre planeve, sidomos tani që sistemi e ka gjithnjë e më të vështirë të menaxhojë antagonizmat, ngërçet dhe kontradiktat e veta.
Këtë rrezik u kujtojnë partive të sistemit biznesmenët e mëdhenj me ndërhyrjet e tyre publike. U kërkojnë të tregohen "përgjegjshëm", të gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre, dhe të përdorin politikën e "karotës dhe të kamxhikut" për ta mbajtur popullin në gjumë dhe të nënshtruar.
Megjithatë, populli e ka provuar këtë "stabilitet" dhe e di mirë se çfarë do të thotë. Ky "stabilitet" të çon me saktësi më thellë në luftërat imperialiste dhe pasojat e tyre, siç është shtrenjtësia e jetesës që avullon rrogat, në "kulturën e arkivoleve", dronëve ushtarakë që kontrollojnë detet greke. Ky sistem sjell vetëm vuajtje të reja dhe e detyron popullin të bëjë sakrifica vetëm e vetëm që të mbrohen fitimet e kapitalit.
Stabiliteti që kërkon sistemi do të thotë pasiguri totale për popullin. Prandaj, punëtorët dhe shtresat e varfra kanë çdo interes ta përmbysin këtë skenë: Përmes luftës së organizuar dhe në bashkërendimin me Partinë Komuniste të Greqisë (KKE), ata mund të godasin planet e klasës borgjeze dhe të forcojnë rrymën e kontestimit ndaj politikave që u shërbejnë interesave të klasës borgjeze në të gjitha llojet e tyre, qofshin këto politika të vjetra apo të reja...
