Skip to content

Vazhdojmë në gjurmët e 200 heronjve komunistë

Date:
pri 27, 2026
kaisariani ekdilosi (103)

Më 25 prill 2026, pranë murit të përgjakur në poligonin e qitjes në qytetin Kesariani, ku në 1 maj 1944 pushtuesit nazistë ekzekutuan 200 komunistë, u mbajt një tubim i madh politik i Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), i pasuar nga një koncert me këngë militante. Flamujt e kuq u valëvitën duke dërguar sinjal, një mesazh dhe premtim, duke nderuar 200 të ekzekutuarit, të cilët ishin anëtarë dhe kuadro të KKE, udhëheqës të klasës punëtore, në shumicën e tyre të burgosur në vitet 1930, në periudhën e demokracisë parlamentare borgjeze, si dhe të diktaturës nga viti 1936, para pushtimit nazist.

Aktiviteti u zhvillua pas zbulimit për herë të parë të fotografive nga ekzekutimi i komunistëve, të cilat pasqyrojnë qëndrimin trimëror të komunistëve para ekzekutimit të tyre.

Duke folur në këtë aktivitet, Dhimitris Kocubas, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të KKE, vuri në dukje ndër të tjera: «Mund të thoshim se realizimin e aktivitetit tonë të sotëm, këtu në murin e Kesarianis, në "kufirin e botës", siç shkroi poeti, pak para 1 Majit të këtij viti, nuk e vendosëm vetë. E kërkuan vështrimet, shtati dhe krenaria me të cilën marshonin drejt vdekjes 200 heronjtë komunistë, që u ekzekutuan në këtë thertore këtu, 82 vjet më parë. (…) Pamë për herë të parë atë heroizmin e pabesueshëm të pasqyruar në figurë, në dokumentet tronditëse që dolën në sipërfaqe në muajin shkurt dhe shkaktuan drojë, admirim dhe krenari në gjithë popullin tonë.

Imazhi i tyre kaloi në pavdekësi dhe me të drejtë u imponua si një monument i historisë moderne greke. Mund të imagjinojmë se kështu do të marshonin edhe qindra shokë tanë të tjerë që u ekzekutuan këtu gjatë periudhës së Pushtimit dhe veçanërisht në atë dhjetëditësh të parë të majit të vitit 1944, mijërat e atyre që ranë në betejat e Ushtrisë Popullore Çlirimtare Greke (ELAS) dhe më vonë të Ushtrisë Demokratike të Greqisë (DSE), ata që u ekzekutuan nga shteti borgjez grek gjatë gjithë viteve '40, atëherë kur klasa borgjeze greke pa vdekjen me sy.

Këto imazhe dhe shembulli i tyre prekën, përshkuan dhe tronditën gjithë shoqërinë, çdo njeri me vullnet të mirë. Ato folën në zemrën e njerëzve të thjeshtë, të rinisë.

Ata dëshmuan në mënyrë dërrmuese zbrazëtinë e teorive anti-historike të dy anëve ekstreme, të barazimit të komunizmit me fashizmin. Të gjitha ato mbeturinave që shpikin shtabet e mirëpaguara të Brukselit dhe riprodhohen nga qeveritë, partitë borgjeze, një pjesë e profesorëve dhe papagajve të paguar mirë.

Por tani që, me rastin e publikimit të fotografive, Grupi Europarlamentar i KKE paraqiti një pyetje në Komision pikërisht për këto teori dhe për nevojën që shteti Gjerman të japë më në fund dëmshpërblimet e luftës që i detyrohet Greqisë, Komisioni u deklarua "inkompetent". Dhe çfarë mendoni se kërkoi? Të tërhiqet pyetja e KKE...

Por nuk deklarohen aspak inkompetentë kur vjen puna për të barazuar të ekzekutuarit me ekzekutorët e tyre. Heronjtë e papërkulur që lindi lufta e popullit tonë, me gjarpërinjtë që zvarriteshin në tokë, duke pritur urdhrin për të shkelur këmbëzën e armës që pushkatonin! Kur barazojnë Vermahtin nazist me Ushtrinë e Kuqe çlirimtare, e cila hyri në Berlin në këto ditë të vitit 1945 dhe nguli flamurin e kuq me drapër e çekan në zemrën e bishës naziste. Me sa duket, nuk e kanë harruar ende...

Dokumentet fotografike të 200-ve të Kesarianis pasqyruan në mënyrë të pashoqe dy botët që ndodheshin edhe atëherë në konflikt të papajtueshëm mes tyre. Në njërën anë të fotografive populli luftëtar, që luftonte për lirinë e tij nga pushtuesi dhe prangat kapitaliste, populli që vuajti nga shteti borgjez edhe para edhe gjatë pushtimit. Dhe në anën tjetër të fotografive ishin ekzekutorët e të «200-ve», pushtuesit nazistë, shteti borgjez grek që u dorëzoi nazistëve komunistët e burgosur».

Sekretari i Përgjithshëm i KQ të KKE iu referua në fjalimin e tij si proceseve politike, ashtu edhe luftërave të mëdha të klasës punëtore dhe shtresave të tjera popullore, siç ishin betejat e mëdha të fermerëve, si dhe forcimit të rëndësishëm të pozitave të komunistëve brenda sindikatave dhe shtoi: «Luftërat që u dhanë gjatë gjithë viteve të kaluara janë prova se qeveria ka një kundërshtar të fortë. Dhe kushdo që bën sikur nuk e sheh këtë, shumë thjesht, e bën sepse edhe ai vetë nuk e do nëpër këmbë këtë kundërshtar, këtë lëvizje, këtë rezistencë të popullit.

Ne do të bëjmë gjithçka që kalon nga dorë jonë që këto luftëra të forcohen edhe më shumë. Të vazhdojnë t'i krijojnë vështirësi qeverisë së sotme dhe çdo qeverie tjetër anti-popullore. Të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së të shumtëve sot, derisa të bëhen një lumë i madh, i vrullshëm, mbarëkombëtar që do t'i fshijë ata nesër. Do të hapë një rrugë rrënjësisht të ndryshme për atdheun dhe popullin tonë.

Nëse 140 vjet më parë, në 1 Maj 1886 kërkesa e punëtorëve ishte 8-orarëshi, sot ekzistojnë të gjitha mundësitë që punëtorët të mund të punojnë më pak, duke gëzuar punë të qëndrueshme dhe të përhershme, 7-orarësh - 5-ditësh - 35-orarësh, Shëndetësi dhe Arsim falas, të drejtë për argëtim, kulturë, pjesëmarrje në jetën shoqërore. Por, në vend të kësaj, shohim kudo rreth nesh që të gjitha këto arritje të shfrytëzohen vetëm për gjuetinë e shfrenuar të fitimit, rivalitetet e luftës dhe shfrytëzimin e punëtorëve.

Që të mund të shfrytëzohen të gjitha këto mundësi në dobi të popullit, duhet të hiqet nga mesi "burimi i së keqes", pronësia dhe pushteti kapitalist. Kjo është matrica e padrejtësisë, e shfrytëzimit, e luftës. Kjo i mban të palëvizura mundësitë e paimagjinueshme që krijojnë çdo ditë punonjësit.

Kërkesa e kohës sot është pronësia shoqërore mbi mjetet e prodhimit, në industri, në porte, në fabrika, në transporte - në mënyrë që t'u shërbejnë nevojave të shoqërisë dhe jo fitimeve të kapitalistëve. Që pasuria të kalojë në duart e atyre që realisht e krijojnë atë. Me planifikim qendror, shkencor të ekonomisë, në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë prodhuese të vendit me synim përmirësimin e jetës së popullit (...)

Marshojmë në gjurmët e të «200-ve»! Dhe do të fitojmë!

Me KKE përpara, më të fortë, të palëkundur në çdo sprovë, të gatitur në thirrjen e Historisë për Socializmin!»

kaisariani ekdilosi (114)
kaisariani ekdilosi (14)
kaisariani ekdilosi (174)
kaisariani ekdilosi (193)
kaisariani ekdilosi (94)
kaisariani ekdilosi (109)