Lidhje me faqet e vjetra të PKG

Faqet e ndërkombëtare të PKG transferohen gradualisht në format të ri. Ju mund të gjeni faqet e mëparshme qe tashmë jane përmirsuar (me të gjitha përbërjet e tyre) në linkun e mëposhtëm.

MESAZH I K.Q TË PARTISË KOMUNISTE TË GREQISË (KKE) PËR 1 MAJIN E PUNËTORËVE, 2020

1 Maji, Dita e Punëtorëve e këtij viti e gjen klasën punëtore në Greqi dhe në mbarë botën në mes të një pandemie. Punonjësit, shtresat e varfra popullore janë edhe këtë herë viktimat e mëdha të kësaj krize "shëndetësore", e cila funksionon si katalizator për një krizë të re ekonomike kapitaliste të thellë, por edhe për promovimin e planeve dhe kërkesave të kapitalit të madh dhe të përfaqësuesve të tyre politik.

Kolapsi i sistemeve Shëndetësore publike, madje edhe në shtetin-kurorë të kapitalizmit, në SHBA, pavarësisht heroizmit të punonjësve në to, intensifikimi i punës dhe mungesat e masave themelore të mbrojtjes me rreziqe për jetën dhe shëndetin e punonjësve, papunësia, testimi që bëhet me mënyra të reja e më të sofistikuara të shfrytëzimit, siç është puna on-line, janë vetëm disa nga imazhet e përditshme që vërtetojnë kalbëzimin dhe falimentimin historik të kapitalizmit.

Në të njëjtën kohë, gjuetia e fitimit dhe konkurrencat rreth kësaj çështjeje e minojnë mundësinë ekzistuese të shkencës dhe të kërkimit shkencor, të cilat do të mundeshin të siguronin një mënyrë më të shpejtë për dalje nga pandemia e sotme dhe të plotësojnë nevojat bashkëkohore. "Lufta botërore" midis shteteve kapitaliste dhe kompanive të mëdha, për patentën e vaksinës së re, për terapinë dhe materialet e nevojshme shëndetësore, vërtetojnë atë që shumica e njerëzve në të gjithë botën e kuptojnë dhe e bërtasin, se "virusi i vërtetë është kapitalizmi". Të gjitha këto sjellin më afër nevojën për shoqërizimin e mjeteve të prodhimit, të shpërndarjes, të shërbimeve, sjellin më afër nevojën e planifikimit shkencor qendror, nevojën e Socializmit.

Mësimet nga Historia e lëvizjes punëtore në Greqi dhe në mbarë botën janë sot më koherente se kurrë. Çdo gjë që fitoi klasa punëtore, e fitoi mes luftimeve të ashpra, në konflikt me kapitalin dhe pushtetin e tij, duke përmbysur korrelacione që mund të dukeshin të pathyeshëm.

Mbi të gjitha, historia ka vërtetuar se klasa punëtore, që është forca më ballore e shoqërisë, mundet, në aleancë me forcat e shtypura popullore, të përmbysi pushtetin e kapitalit, të ndërtojë një shoqëri të re e cila në epiqendrën e saj do të ketë plotësimin e nevojave të zgjeruara popullore.

Përvoja e ndërtimit socialist në shekullin XX, megjithëse kishte të bënte me vende me të dhëna shkencore dhe teknologjike absolute dhe relative të vonuara në krahasim me kushtet e sotme, tregon epërsinë e socializmit në mbrojtjen e shëndetit, në siguri, punë, në mbrojtjen e gjerë sociale. Përmbysja e socializmit dhe tërheqja globale e lëvizjes punëtore as nuk justifikojnë barbarinë kapitaliste ku jetojmë, e as -aq më tepër- nuk e ndalojnë dot rrotën e Historisë, e cila, pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat, gjithmonë ecën përpara.

Ky barbarizëm nuk zbukurohet dot me masa të pjesshme për të zbutur pasojat e tij, nga përpjekjet që bëjnë qeveritë, partitë, aleancat ndërkombëtare imperialiste, në përgjithësi forcat që mbrojnë dhe shërbejnë këtë sistem të padrejtë shfrytëzues, për ta mbuluar.

Ata hyjnizojnë "përgjegjësinë individuale", për të fshehur mungesat e mëdha shtetërore, veçanërisht në sistemet e Shëndetit publik.

Përpiqen që t’i imponojnë heshtjen punonjësve, me pretekstin e pandemisë dhe me "unitet kombëtar" të rremë.

Synojnë nënshtrimin e punonjësve ndaj qëllimeve të kapitalit, me argumentin e rremë se "gjendemi të gjithë në të njëjtën varkë".

Përgatisin masa për ndërhyrje të menjëhershme ekonomike shtetërore -me investime dhe subvencione, madje edhe me shtetëzime të ndërmarrjeve të mëdha të falimentuara- me qëllim rikthimin e motivit dhe përfitimit kapitalist. Por të gjitha këto paguhen nga punonjësit me masa dhe memorandume të reja e të rënda, në emër të "kushteve emergjente".

Përdorin përrallën e "solidaritetit europian" për të fshehur faktin se BE-ja, Eurozona, është nga natyra e saj aleancë mes shteteve dhe ekonomive që konkurrojnë përballë njëra-tjetrës, të cilat, sidomos në kohë krize, po "tregon muskujt" e saj si mes tyre ashtu dhe -mbi të gjitha- kundër popujve.

Në këtë linjë po lëvizin si qeveria e ND ashtu dhe SYRIZA dhe partitë e tjera borgjeze të Greqisë, duke u përgatitur për ditët e ardhshme, të cilat do të jenë të dhimbshme për punonjësit nëse nuk e ngrenë kokën e tyre më vendosmëri, në mënyrë masive dhe militante, nëse nuk kalojnë në kundërsulm.

Asnjë iluzion, asnjë mashtrim nuk lejohet për punonjësit, pensionistët, të vetëpunësuarit në qytet dhe në fshat. Asnjë ndryshim në përzierjen midis politikës fiskale dhe asaj monetare, asnjë "Plan Marshall" i ri, asnjë modernizim dixhital i shërbimeve shtetërore nuk është "reformë progresive" e kapitalizmit dhe nuk e çfajësojnë atë nga ngërçet gjigande dhe nga kriza e ardhshme, siç ndodhi në vitin 2009. Nga kriza e re ekonomike e përmasave të mëdha, nuk është e mundur që punonjësit të dalin të fituar.

Kjo është arsyeja pse kundërsulmi i punëtorëve, aleanca e klasës punëtore me forcat e tjera popullore nuk mbetet "në akull".

Qëndrojmë të fortë në kushtet e pandemisë.

Luftojmë për mbrojtjen e shëndetit të popullit, për Arsimin, punën, Kulturën, për trajtimin e çështjes së refugjatëve, për mbrojtjen e të drejtave punëtore dhe sindikale si dhe lirive të gjera civile, me shfuqizimin e çdo ligji që kufizon veprimtarinë sindikale dhe politike, intensitetin e represionit.

Forcojmë luftën që të paguajnë ata që janë përgjegjës, kapitalistët, duke rritur taksimin e tyre, me heqjen e ligjeve që përjashtojnë kapitalet nga tatimet, duke goditur ata që shfrytëzojnë rastin dhe rritin çmimet për të fituar sa më shumë.

Forcojmë luftën për heqjen e të gjitha ligjeve të memorandumeve të vjetra dhe masat e fundit antipopullore.

Me insistim për shuarjen e borxhit shtetëror që nuk u krijua nga populli i cili e paguan shtrenjtë dhe vazhdimisht gjatë gjithë këtyre viteve.

Me tërheqjen nga programi dhe planet e rrezikshme të NATO-s, ku si shtet e paguajmë 4 miliardë euro çdo vit. Me konfliktin total dhe çlirues si dhe shkëputje për popullin tonë nga aleancat imperialiste të NATO-s dhe BE-së.

Rruga e vetme, që krizën mos ta paguajnë punonjësit, është rruga e luftës për pushtetin e punëtorëve.

Koronavirusi do të shërohet dhe pandemia do të kalojë, ashtu siç kanë kaluar edhe të tjera në të kaluarën, por kapitalizmi është i pashërueshëm dhe do të vazhdojë të torturojë njerëzimin, me varfërinë, papunësinë, luftërat, shkatërrimin e mjedisit, derisa popujt të vendosin të dalin në ballë të zhvillimeve.

Sistemi aktual mundet vetëm të rrëzohet dhe të zëvendësohet nga një sistem më i lartë shoqëror, nga socializmi - komunizmi, ku prona shoqërore në mjetet e prodhimit me pushtet punëtor, me planifikim qendror shkencor për plotësimin e nevojave popullore, me kontroll punëtor në të gjitha organet administrative dhe pjesëmarrje në të gjitha organet e pushtetit, nga poshtë lart, mund të çojë në mirëqenien e popullit, në paqen dhe përparimin e njerëzimit.

Dita e 1-Majit Punëtor simbolizon pretendimet e pashterueshme përballë kundërshtarit klasor. Kjo është trashëgimia e çmuar për periudhën që përjetojmë. Me këtë armë në duart dhe mendimet tona nderojmë Ditën e 1-Majit të Punëtorëve, nderojmë punëtorët e vdekur të Chicikagos në vitin 1886, punëtorët e duhanit në qytetin e Selanikut në vitin 1936, 200 komunistët e ekzekutuar në qytetin Kesariani më 1 Maj 1944, të gjithë ata të pagjunjëzuar të luftës klasore, ata që u sakrifikuan për një shoqëri pa e shfrytëzimin e njeriut nga njeriu.

Në këtë rrugë vazhdojmë, për plotësimin e të gjitha nevojat bashkëkohore sociale - popullore.

PROLETARË TË TË GJITHA VENDEVE BASHKOHUNI !

 

ATHINË 25.04.2020