Lidhje me faqet e vjetra të PKG
Mjaft me talljet! Të hapim rrugën për prosperitetin dhe sigurinë e vërtetë popullore

Çdo ditë që kalon, dalin në sipërfaqe përmasat kolosale të dëmeve në banesa dhe kultivimet bujqësore të shkaktuara nga përmbytjet në rajonin e Thesalisë në Greqinë Qendrore, ndërsa deri më tani konfirmohet se kanë humbur jetën 15 persona. Konfirmohet në mënyrën më dramatike mungesa e madhe e infrastrukturës së nevojshme dhe e një plani të integruar shtetëror për mbrojtjen nga përmbytjet, mirëmbajtja dhe riparimet e pamjaftueshme të infrastrukturës ekzistuese si dhe, mbi të gjitha, përgjegjësitë e përhershme të qeverive ND-SYRIZA-PASOK, si dhe të autoriteteve rajonale dhe bashkiake.
Forcat e Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) që në momentin e parë u gjendën pranë popullit të sprovuar të rajonit dhe janë protagoniste në shprehjen e solidaritetit, duke vënë në jetë parullën «Vetëm populli e shpëton popullin». Në të gjithë Greqinë, sindikatat që bashkohen Frontin Militant Mbar-punëtorë (PAME) si dhe forume të tjera të lëvizjes popullore, po marrin dhjetëra iniciativa solidariteti, duke grumbulluar ushqim dhe mallra të nevojave elementare për popullin e Thesalisë. Ditën e diel, 10 Shtator, delegacioni i sindikatave të Athinës shkoi në këto zona për të ndihmuar në riparimin e dëmeve.
Tashmë në Athinë janë zhvilluar protesta masive, ndërsa ditën e shtunë, 9 Shtator u zhvillua një tubim i madh nga sindikatat në Selanik.
Sekretari i Përgjithshëm i KQ të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), Dhimitri Kucubas, bëri deklaratën e mëposhtme për katastrofat e mëdha në Thesali:
«Mjaft me talljet! Qeveria e ND-së, partitë e tjera që kanë qeverisur, autoritetet rajonale dhe bashkiake kanë përgjegjësi të mëdha kriminale. Ata vendosin ryshfetet dhe fitimet e të paktëve mbi jetën dhe pronën e njerëzve, mbi mbrojtjen e mjedisit.
Ajo që kërkohet këtu, tani dhe menjëherë, si një çështje urgjente për t'u bërë, është shpëtimi i të gjithë banorëve të fshatrave të bllokuar nga përmbytjet, të sigurohet strehimi, të sigurohen ilaçet dhe kujdesi mjekësor, furnizimi me ushqim dhe ujë, të sigurohet mbrojtja e të gjithë të prekurve. Dhe sigurisht, të pasohet menjëherë dhe shumë shpejt, me procedura të shpejta, riparimi i dëmeve dhe dëmshpërblimi i të gjithë këtyre bashkënjerëzve tanë.
Sido që të jetë, nevojiten ndryshime rrënjësore në ekonomi, në shoqëri, të cilat mund të imponohen vetëm nga lëvizja punëtore-popullore, kur vetë populli të dalë në skenë, me në krye Partinë Komuniste të Greqisë (KKE), në rrugën e përmbysjes, për të shpëtuar atë që shpëtohet, çfarëdo gjë që mundet të shpëtojmë dhe, kryesisht, të hapim rrugën për të ekzistuar mirëqenia popullore dhe siguria e vërtetë e popullit tonë».
11.09.2023