Skip to content

4 vite që «vdekja na shikon dhe i shkojnë jargë»

Date:
shk 27, 2026
Polemos4xronia_4

Po ripublikojmë artikullin e Elisheos Vagenas, anëtar i KQ dhe përgjegjës i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të KQ të KKE në «dnews».

Konflikti në Ukrainën Lindore nuk ishte një rrufe në qiell të hapur për Partinë Komuniste të Greqisë (KKE), por ndezja e një përplasjeje të paracaktuar, e cila u përgatit metodikisht në «kazanin» e antagonizmave të interesave të fuqishme dhe përbën pasojë e restaurimit kapitalist që çoi në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Të kujtojmë se bota e atëhershme politike greke, nga e djathta ekstreme deri te e ashtuquajtura «E majtë rinovuese» dhe «përveç Lakedemonëve» të KKE, pretendonte se «po hapen rrugët e paqes dhe të mirëqenies» për popujt.

«Zinxhiri» i gjatë i luftërave (Jugosllavi, Afganistan, Irak, Libi, Siri, Sudan, Ukrainë, Iran etj.) dhe krizat kapitaliste që pasuan, konfirmojnë haptazi se kush u vërtetua në parashikimet e veta.

Ndër luftërat që rrodhën është edhe lufta në Ukrainë, e cila sot mbushi 1.461 ditë. Është lufta më e madhe në trojet europiane pas Luftës së II-të Imperialiste Botërore, duke shkaktuar miliona refugjatë, të plagosur dhe qindra mijëra të vdekur. Kryesisht fëmijë nga familje të varfra popullore, të cilët ose nuk mundën t'i shpëtonin rekrutimit ushtarak, ose u përfshinë në luftë «vullnetarisht» për shkak të pagesave të larta.

KKE zbuloi shkaqet e kësaj gjakderdhjeje, duke hedhur poshtë si pretekstet e bllokut euro-NATO-ik, rreth «mbrojtjes së sovranitetit të Ukrainës» apo të «zgjedhjes së lirë të aleatëve» apo të «demokracisë kundrejt autoritarizmit», ashtu edhe pretekstet që shfrytëzoi udhëheqja e Rusisë për pushtimin e papranueshëm ushtarak në Ukrainë, rreth «luftës antifashiste» apo «mbrojtjes së rusofonëve» apo «çmilitarizimit të Ukrainës». KKE nxori në pah se konflikti nuk ka të bëjë me asgjë nga sa më sipër, por me kontrollin e burimeve të pasura, rrugëve të energjisë dhe sferave të ndikimit midis bllokut euro-atlantik dhe aksit imperialist euro-aziatik që po formohet. Së fundmi, dhe pa retushime, të gjithë pamë pazarin Trump-Zelenski-Putin për burimet e rralla të Ukrainës, gjë që rrëzoi edhe iluzionet e fundit që kishin disa.

Në këto 4 vite të luftës imperialiste, KKE priu në Greqi në betejën kundër përfshirjes së vendit tonë në luftë, në kuadër të bllokut imperialist euro-atlantik. Organizoi demonstrata të rëndësishme kundër luftës, jashtë bazave ushtarake amerikane në qytetet Aleksandrupoli, Sudha të Kretës, Larisa etj. Mbështeti aktivitete përkatëse të sindikatave dhe organizatave masive, të lëvizjes kundër luftës dhe kundër imperializmit. Bllokoi rrugë, hekurudha, porte që u përdorën nga forcat e NATO-s. Votoi kundër marrëveshjes për zgjerimin e bazave ushtarake amerikane dhe shpenzimeve ushtarake për NATO-n. Në Parlamentin Europian, kur partitë ND, PASOK, SYRIZA dhe ekstremistët e djathtë së bashku me partitë e “së majtës” evropiane mbështetën ekstazën luftarake të imperialistëve europiane, KKE votoi kundër dhe e denoncoi këtë fakt para popullit. Kundërshtoi dhe dënoi si dërgimin e materialeve luftarake të Forcave të Armatosura greke në Ukrainë, ashtu edhe stërvitjen e ushtarakëve ukrainas.

Më gjerësisht sot shqetëson kohëzgjatja dhe dimensionet e mëtejshme që mund të marrë lufta dhe nëse ajo mund të «përqafojë» dhe të «bashkohet» me dhjetëra përleshje të tjera luftarake në botë, si p.sh. shih Iran-SHBA. Me fjalë të tjera, të rritet edhe më shumë dhe të çojë në përdorimin e armëve më shkatërruese, deri edhe të armëve bërthamore.

Lufta nuk është një fenomen natyror, si tërmeti, por shoqëror, dhe në kapitalizëm, i cili është kundërshtari i popujve, ajo është e identifikuar me antagonizmat që çojnë në luftëra imperialiste për gjuetinë e fitimit të monopolit, kontrollin e tregjeve dhe burimeve të pasura, vendburimeve energjetike dhe rrugëve të transportit të energjisë dhe mallrave, mbishfrytëzimin e punëtorëve dhe popujve.

Pavarësisht «bisedimeve të ndryshme për paqe» apo armëpushimeve të mundshme të përkohshme, e vërteta është se për herë të parë pas Luftës së II-të Imperialiste Botërore, njerëzimi gjendet aq afër mundësisë së një Lufte të III-të Imperialiste Botërore. Ky konstatim bazohet si në përplasjen e ashpër SHBA-Kinë për primatin në sistemin botëror imperialist, ashtu edhe në përgatitjen intensive luftarake të forcave imperialiste dhe poleve imperialiste rivale, e cila kujton në masë të madhe periudhën përkatëse të mes-luftës. Le të mos na duket i çuditshëm fakti se brenda aleancave imperialiste, si ato të NATO-s dhe BE-së, shfaqen kundërshti. Këto kundërshti shkaktohen nga zhvillimi i pabarabartë kapitalist dhe marrëdhëniet e pabarabarta midis shteteve kapitaliste. Aleancat mund të ndryshojnë, të riorganizohen, por ADN-ja e tyre klasore mbetet: Është baza ekonomike e shteteve kapitaliste që i përbëjnë ato dhe «ngrënia» mes tyre është për interesat e pakicës, të monopoleve të tyre. Prandaj dhe dilema «me kampin euro-atlantik apo me atë euro-aziatik» është e rreme dhe nuk ka të bëjë me interesat e popujve.

Popujt janë ata që derdhin gjakun e tyre në luftërat imperialiste, bëhen «mish për top» që të fitojnë nga industritë e luftës deri te ato ndërtuese të «rindërtimit».

Le të mos u besojmë qeveritarëve të çdo lloji, se gjoja jemi si vend një «ishull sigurie dhe stabiliteti» në një botë që digjet, kalbet dhe zhytet në humnerën e luftërave! Ishuj të tillë nuk ekzistojnë në kapitalizëm! SHBA, NATO, BE, çdo aleancë imperialiste nuk janë «porte të qeta», siç na thonë. Na e bërtet këtë në mënyrë shurdhuese rasti i Grenlandës, «zonat gri» në detin Egje, e ashtuquajtura «Atdheu i Kaltër» etj.

Tani është e nevojshme të forcohet lufta e popullit dhe e rinisë që të mbyllen bazat Nato-amerikane të vdekjes, të kthehen në atdhe repartet greke të forcave të armatosura që ndodhen jashtë kufijve, të forcohet lufta e punëtorëve për shkëputjen e vendit nga ndërhyrjet imperialiste, luftërat, aleancat e NATO-BE, me popullin sovran në vendin tonë.