Më 23 prill 2025, në Moskë, u mbajt Forumi Ndërkombëtar Antifashist (FNA), i organizuar nga Partia Komuniste e Federatës Ruse (PKFR), me mbështetjen, siç u tha, të qeverisë dhe Presidencës ruse.
Sipas njoftimeve, në këtë FNA morën pjesë 450 delegatë nga 91 shtete, që përfaqësonin 164 organizata. Sigurisht, deri më tani organizatorët nuk e kanë publikuar listën e organizatave pjesëmarrëse. Në një listë paraprake që arriti në duart tona, Greqia përfaqësohej nga një delegacion i degës greke të së ashtuquajturës Platformë Botërore Anti-Imperialiste (PBI), i përbërë nga 2... koreano-jugorë (!), si dhe një grua greke, e cila përfaqësonte degën greke të "Frontit Ndërkombëtar Anti-Imperialist" gjithashtu të padukshëm në Greqi. Partia Komuniste e Greqisë (KKE), për arsye konkrete, të cilat do t'i trajtojmë më poshtë, as nuk mori pjesë dhe as nuk dërgoi ndonjë mesazh në këtë aktivitet, siç po thuhet e përhapet në mënyrë të rreme. Megjithatë, gjërat qesharake nuk mbarojnë, siç duket, me përfaqësimin e Greqisë. Është karakteristike se Turqia, ndër të tjera, gjoja përfaqësohej nga partia nacionaliste «Vatan» (Atdheu), me origjinë ish-maoiste, e cila tani mbështet hapur Presidentin aktual të Turqisë, T. Erdogan nga pozita gjoja "anti-imperialiste" ndërsa "gojët e liga" e lidhin atë drejtpërdrejt me Shtabin e Përgjithshëm të forcave të armatosura turke.
Bazuar në sa më sipër, na duhet të vendosim një pikë këtu dhe të mos e lodhim më tej lexuesin. Megjithatë, nuk mund ta kundërshtojmë faktin se, në këtë FNA morën pjesë (edhe) Parti Komuniste dhe Punëtore, të cilat marrin pjesë edhe në Takimet Ndërkombëtare të Partive Komuniste dhe Punëtore (TNPKP). Përveç kësaj, ne kemi theksuar edhe në të kaluarën se në TNPKP, ku bën pjesë edhe KKE, po zhvillohet një luftë e ashpër për shumë çështje të rëndësishme politike dhe ideologjike. Kjo është arsyeja pse, mendojmë se ka kuptim të merremi më shumë me këtë FNA të 2-të.
