Sindikatat në Greqi, në sektorin privat dhe publik, po lëvizin me ritmet e një shkallëzimi vendimtar të grevave, me hovin e grevës madhështore ndërkombëtare të punëtorëve të portit të së premtes. Sindikatat po përgatisin grevën e madhe mbarpopullore dhe mbarpunëtore më 25 Nëntor me moton «Nuk punojmë për luftën». Pasditen e së premtes, më 30 tetor, ndërsa vala ndërkombëtare e grevave ishte ende në zhvillim e sipër duke mbërritur deri në portet e Amerikës, u zhvillua mbledhja e madhe e sindikatave-anëtare të Qendrës Punëtore të Athinës (EKA), e cila bashkon në radhët e saj qindra sindikata që përfaqësojnë qindra mijëra punëtorë.
Data 30 Tetor tregoi se sa e madhe është fuqia e punëtorëve kur organizohen dhe koordinojnë luftën e tyre; ata mund të vendosin pengesa në planifikimet e luftës, në rrugën për përmbysjen e politikës së fitimeve dhe shfrytëzimit. Në 113 porte, në 22 shtete, në pesë kontinente, klasa punëtore dërgoi një mesazh që u dëgjua fuqishëm nga njëri skaj i planetit në tjetrin: Nuk punojmë për luftën!
Në Greqi, grevistët morën pozicionet e tyre që herët në mëngjes, në dyert e porteve, në rampat e anijeve, në fabrika. Qyteti Pireas, porti më i madh i Greqisë dhe i 6-ti më i madh në Europë, u ndodh në zemër të kësaj dite të madhe. Punëtorët e portit mbrojtën grevën në kalatat e COSCO-s dhe detarët në rampat e anijeve. Beteja e grevës u dha edhe në portet e tjera (Rafinë, Lavrio, Patras, Igumenicë, Elefsinë, Rio-Antirio, Selanik, etj.).
Siç vuri në dukje Fronti Militant Mbarpunëtor (PAME):
«30 Tetori fiton vendin e tij në historinë e lëvizjes ndërkombëtare punëtore! Ai provon fuqinë që ndodhet në duart e punëtorëve kur organizohen, vendosin në mënyrë kolektive dhe koordinojnë veprimin e tyre përtej kufijve.
Jehona ndërkombëtare e kësaj dite tregon se sa larg mund të arrijë një luftë që bazohet në interesat e përbashkëta dhe në luftën e organizuar të klasës punëtore.
Kapitali, qeveritë dhe unionet imperialiste panë përballë tyre atë që vërtet e drithëron: fuqinë e popullit të organizuar që mund të përplaset me politikën e luftërave dhe shfrytëzimit.»
Menjëherë pas grevës ndërkombëtare në Greqi, sindikatat po zhvillojnë mbledhje, Asamble të Përgjithshme, vizita në vendet e punës dhe po hartojnë planin e tyre grevist, duke bërë të qartë se punëtorët nuk do të paguajnë faturën e përfshirjes së vendit në luftë për fitimet e monopoleve, nuk do të pranojnë asnjë sakrificë dhe asnjë pasojë në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.
Prandaj, në qendër të vëmendjes ndodhen kërkesat për rritje reale pagash, për Kontrata Kolektive Punë me garantim të drejtash, për orar punë 7-orësh / 5-ditor / 35-orësh në javë, si dhe për masa të shëndetit dhe sigurisë në vendet e punës. Për mbrojtjen e vërtetë të së ardhurave nga shtrenjtësia dhe varfëria energjetike, përballet me talljen e qeverisë dhe mbështetjen e gjithanshme ndaj grupeve të biznesit. Asnjë përfshirje në luftën imperialiste, të mos paguajnë punëtorët dëmet, «Asnjë sakrificë për fitimet dhe luftërat e tyre», është moto që bashkon sindikatat dhe merr formë konkrete në çdo vend pune, në përballjen me punëdhënësit.



