Lirimi i Kasidhiarit, i cili pason lirimin e pothuajse të gjithë udhëheqjes së organizatës kriminale, përbën një sfidë dhe provokim ndaj viktimave të Agimit të Artë dhe familjeve të tyre, si dhe ndaj popullit punonjës që kërkoi dhe ushtroi presion me luftën e tij për dënimin e saj.
Sidoqoftë, provokuese janë edhe lotët e krokodilit nga partitë e sistemit, të cilat pretendojnë se janë të shqetësuara dhe të brengosura nga ky zhvillim. Qeveria Micotakis dhe qeveria e mëparshme e Cipras mbajnë përgjegjësinë për vonesat e stërmëdha në gjyq, i cili u përfundua pas 11 vitesh dhe për më tepër jo në mënyrë të irrevocueshme (përfundimtare). Kjo është diçka që krimineli Kasidhiaris mund ta shfrytëzojë për të tentuar të jetë kandidat në zgjedhjet e ardhshme. Për më tepër, edhe kuadri ligjor që hartoi qeveria e ND, për të parandaluar me sa duket këtë mundësi, udhëhiqet nga teoria e "dy ekstremeve" dhe kriminalizimi i radikalizmit, duke pasur mbështetjen thelbësore edhe të partive të tjera, pasi në fund të fundit kthehet kundër lëvizjes punëtore dhe popullore.
Të gjitha partitë borgjeze fshehin me vetëdije se fashizmi është "fëmijë" i këtij sistemi të kalbur shfrytëzues. Rishfaqja e fashizmit sot nuk është rastësore, pasi helmi i tij nacionalist dhe racist është i nevojshëm në kushtet e përgatitjes ushtarake dhe përfshirjes në luftë, për të ngritur dilema të rreme dhe për të bllokuar popullin nën flamuj të huaj e nën interesat e klasës sunduese.
Ata e paraqesin forcimin e "shtetit të së drejtës" si përgjigje ndaj rritjes së fashizmit, ndërkohë që është më se e qartë se shteti, qeveritë dhe drejtësia e toleronin veprimtarinë e Agimit të Artë dhe shoqëroheshin me të në stolat e parlamentit deri në vrasjen e Pavlo Fisas. Kur Agimi i Artë kriminal "siguroi" dënime më të ulëta me Kodet e reja Penale të qeverisë së atëhershme SYRIZA, lirime pothuajse të menjëhershme për shumicën e anëtarëve të saj, trajtim të favorshëm me leje të vazhdueshme, si dhe, si në rastin e Kasidhiaris, mundësinë e vuajtjes së dënimit në gjysmën e kohës, duke i dhënë vazhdimisht vende pune brenda burgjeve të mbipopulluara — vende që janë të vështira për t'u gjetur nga të burgosurit e tjerë.
Të gjithë ata, qeveria dhe partitë e opozitës komode, mbrojnë "shtetin e së drejtës" të BE-së, i cili, duke patur si majë shigjete teorinë e papranueshme të dy anëve ekstreme, nga njëra anë rehabiliton bashkëpunëtorët e nazistëve dhe nga ana tjetër rrëzon simbolet komuniste, ndalon partitë dhe rininë komuniste. Është e njëjta BE që kriminalizon dhe lëshon një "gjueti të re shtrigash" me monitorim masiv dhe parandalues, me shtypje ndaj mendimit dhe aktivitetit radikal.
Bëhet akoma më e qartë se fashizmi nuk përballohet me të ashtuquajturat qeveri progresive të sistemit, me ligje dhe vendime gjyqësore, apo me mbrojtjen e një "shteti të së drejtës" që ngroh vezën e gjarprit sa herë që i nevojitet. Për më tepër, rritja e populizmit të djathtë ekstrem në Gjermani dhe në shtete të tjera konfirmon se rrugën për këto forca e hap shteti borgjez dhe forcat anti-popullore borgjeze, duke lejuar që një "fëmijë" i vërtetë i këtij sistemi të shfaqet me mantelin e "antisistemit".
Vetëm lëvizja punëtore-popullore, me luftën e saj të organizuar dhe me flamur nevojat e saj bashkëkohore, mund të hapë rrugën për përmbysjen e këtij sistemi, për t'u çliruar përfundimisht nga kalbëzimi që pjell nga të gjitha poret e tij.
Të hapë rrugën e përmbysjes, për socializmin – komunizmin, i cili provoi në praktikë se mund ta dërrmojë përbindëshin e fashizmit, duke ngulur flamurin e kuq me drapër e çekan në Berlin, në zemër të Reichstag-ut.
ATHINË 15/9/2026
ZYRA E SHTYPIT E KQ PARTISË KOMUNISTE TË GREQISË (KKE)
