Lidhje me faqet e vjetra të PKG
KKE PËR BISEDËN TRUMP - PUTIN
Paqja imperialiste dhe marrëveshjet janë ana tjetër e luftës imperialiste - Ndërsa flasin për "armëpushim" ata intensifikojnë përgatitjet për luftë

Zyra e shtypit e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) lëshoi deklaratën e mëposhtme në lidhje me komunikimin Trump-Putin:
«Daullet që bien për një armëpushim në luftën 3-vjeçare imperialiste në Ukrainë, mes SHBA-ve, NATO-s, BE-së dhe Rusisë kapitaliste, nuk mund të lënë në hije faktet reale dhe realitetin e dhimbshëm të vazhdimit të luftës që torturon popujt e Ukrainës dhe Rusisë, as rreziqet për popujt e tjerë.
Marrëveshja e pjesshme dhe e brishtë për armëpushim në infrastrukturat energjetike midis Trump-it dhe Putin-it, në kuadrin e pazarit mes SHBA-Rusi, nuk anulojnë shkaqet e vërteta që shkaktuan këtë luftë imperialiste, të cilat janë, antagonizmat imperialiste për kontrollin e tregjeve dhe burimeve të prodhimit të pasurisë.
Marrëveshja e kufizuar e armëpushimit është pjesë e procesit të negociatave për ndarjen e territoreve, të energjisë dhe infrastrukturës tjetër, si dhe pasurive minerale, të bazuara në faktet e kryera e të formuara nga invazioni i ushtrisë ruse dhe pushtimi i territorit ukrainas.
Paqja imperialiste si dhe marrëveshjet e kompromiset të lidhura me to, të cilat mbajnë vulën e aspiratave të klasave borgjeze dhe aleancave imperialiste, janë ana tjetër e luftës imperialiste. Prezantimi i Trump-it si një paqe-bërës provokojnë popujt që kanë përjetuar dhe po përjetojnë rolin e imperializmit amerikan.
Si SHBA-të, BE-ja dhe Ukraina, ashtu dhe Rusia, ndërkohë që flasin për një “armëpushim”, po intensifikojnë përgatitjet për luftë, ndërsa qeveria greke, me mbështetjen e partive pro NATO-s, përfshihet në luftën imperialiste, mbështet ekonominë luftarake të BE-së dhe planin gjigant prej 800 miliardë eurosh për të ashtuquajturën “mbrojtje europiane”, në kurriz të popullit tonë dhe popujve të tjerë.
Mbrojtja e jetës dhe e interesave të popujve kërkon zhvillimin e një lufte të pavarur për të eliminuar shkaqet që nxisin luftërat imperialiste, për përmbysjen e barbarisë kapitaliste».
20.03.2025