Lidhje me faqet e vjetra të PKG
Një shtet armiqësor ndaj popullit, nuk do dhe nuk mundet të marrë masa elementare për ta mbrojtur atë

Zyra e Shtypit e KQ të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), lëshoi deklaratën e mëposhtme për problemet e shkaktuara nga moti i keq në të gjithë Greqinë:
«Qytetet e pa-fortifikuara dhe populli i pambrojtur gjenden përballë një shteti të kalbur e armiqësor, i cili nuk do dhe nuk mundet të marrë as masat më elementare për mbrojtje ndaj fenomeneve natyrore. Ky është konkluzioni që del nga ky mot i keq, i cili deri më tani ka marrë 2 jetë njerëzish, 4 të zhdukur, infrastrukturë të shkatërruar, shtëpi dyqane, makina, toka bujqësore të përmbytura, etj.
Qëndrimi i qeverisë, i autoriteteve rajonale dhe bashkiake, të cilët ia atribuojnë pasojat intensitetit të fenomenit natyror, përbëjnë edhe një herë alibinë e “volitshme” për të justifikuar mos-ekzistencën e përhershme të projekteve moderne të mbrojtjes nga përmbytjet si dhe të infrastrukturave dhe rrjeteve të tjera kritike, për ndërtimet pa plan, për mos-marrjen qoftë dhe të masave më elementare, si pastrimi i përrenjve dhe kanaleve, pasi përmasat e motit të keq ishin parashikuar kohë më parë. Sidomos për rajone të caktuara, si Magnisia dhe Evia Veriore, të cilat u dogjën kohët e fundit, kjo nevojë ishte edhe më urgjente dhe përgjegjësia edhe më e madhe.
Le të mendojë dikush se cilat do të jenë rezultatet nëse një fenomen i ngjashëm do të godasë Atikën e shpyllëzuar, ku sipas denoncimeve zyrtare nuk është pastruar asnjë kanal në Atikën Perëndimore dhe Lindore, ndërkohë që çdo vepër kundër përmbytjeve po ecën me ritme shumë të ngadalta.
Përgjigja e qeverisë dhe e aparatit shtetëror për të gjitha të mësipërmet ishte e njëjtë si në rastin e zjarreve, “ikni me vrap të shpëtoni” ose “qëndroni në shtëpitë tuaja”.
Nuk është "e dhënë" të digjesh në verë dhe të mbytesh pjesën tjetër të vitit, nuk mund të pranohet kjo si një "normalitet" që populli të jetë herë pas here në mëshirën e fenomeneve natyrore, siç duan të na bindin qeveria dhe papagallët e ndryshëm. Sot ekzistojnë të gjitha mundësitë shkencore dhe teknologjike për parashikim të hershëm, por edhe për mbrojtjen e popullit.
Problemi është politika e përhershme e qeverisë aktuale dhe e të gjitha qeverive të mëparshme, autoriteteve rajonale dhe bashkiake, të cilat i trajtojnë projektet e nevojshme të infrastrukturave kundër përmbytje dhe kundër zjarreve si një “kosto të tepërt”, duke i dhënë, në të njëjtën kohë, prioritet projekteve që sjellin fitime për kapitalin. Janë udhëzimet e BE-së, e cila nuk i konsideron si “të pranueshme” shpenzime të tilla. Është shteti borgjez ai që i shërben vetëm fitimit dhe prandaj nuk do dhe nuk mundet të zbatojë një projekt të integruar në urbanistikë, planifikim hapësinor, mbrojtje civile, që realisht ti shërbejë nevojave moderne të popullit.
Partia Komuniste e Greqisë (KKE) kërkon që qeveria dhe të gjitha autoritetet rajonale dhe bashkiake të marrin këtu dhe tani të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe pronën e popullit, mbështetjen e të prekurve në strehim, ushqim etj., rivendosjen e rrjeteve të furnizimit me ujë dhe energji elektrike dhe dëmshpërblim të plotë për dëmet që kanë pësuar».
07/09/2023 Zyra e Shtypit e KQ të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE)
07.09.2023